Pas sulmit kibernetik, sistemet e “One Albania” në kolaps, kompania kthen punonjësit në shtëpi

Kompania telefonike “One Albania” ka rënë pre e hakerave “Homeland Justice”. Këta të fundit kanë njoftuar paraditen e sotme se kanë vënë në shënjestër sistemet e kompanisë celulare “One Albania” dhe kanë në dorë të dhënat e mijëra shqiptarëve.

Pas sulmit, i cili e ka gjetur të ambrojtur kompaninë celulare dhe ka futur në kolaps të gjitha sistemet e saj, punonjësit janë njoftuar që të ktheheshin në shtëpi.

Punonjësit të cilët  u janë drejtuar këtë mëngjes dyqaneve të shërbimit ndaj klientëve,  janë njoftuar përmes një e-maili që të ktheheshin në shtëpi sepse sistemi i rimbushjeve, pagesave apo dhe rinovimi i kontratave nuk ka qenë funksional.

“Po përmirësojmë sistemet”, ka qenë mesazhi për stafin.

Hakerat pretendojnë se kanë marrë në dorë të dhënat e shqiptarëve që janë klientë pranë kësaj kompanie.

Nga një vëzhgim i thjeshtë faqja e ëebit e kompanisë “One” është down, ashtu dhe aplikacioni “My One” në celular nuk punon.

Grupi i hakerave njoftoi në rrjetin “Telegram” se ka marrë në dorë dhe ka asgjësuar të dhëna deri në 2 petabajt (2 petabytes). Për njohësit e teknologjisë, kjo është ndër njësitë më të mëdha të matjes së të dhënave kompjuterike. Ose ndryshe, të dhëna sa 500 miliardë fletë formati standarde të printuara.

“Misioni ka filluar (DDMC). Albanian Mobile Communications (AMC) u hakerua nga Homeland Justice. Injorimi i “paralajmërimeve tona humanitare” u kushtoi gjithë këtë politikanëve tuaj të korruptuar. Por mos u mashtroni. Kjo do të vazhdojë derisa ta pastrojmë plotësisht vendin tonë nga terroristët.

Në këtë operacion, të marra së bashku, u fshinë më shumë se 2 petabajt të të dhënave të rrjetit të telekomunikacionit dhe rrjetit të brendshëm të të gjitha kompanive të lidhura, dhe të dhënat e rëndësishme do të publikohen së shpejti! Ne kemi dashur vetëm të përcjellim një mesazh”, thuhet në njoftim./albeu.com 


Shtuar 25.12.2023 11:36