SPAK njoftoi sot se zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera publike, në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një prej projekteve më të mëdha gjatë viteve të fundit, por edhe që ka shkaktuar mjaft debate e akuza në drejtim të saj.
Skyweb.al mëson se ka të dhëna se hetimet paraprake të SPAK kanë zbuluar një zinxhir vendimesh të diskutueshme, që nisën me një garë të fituar nga një kompani shqiptare, kaluan tek kompani turke me lidhje të forta pranë partisë së Presidentit Erdogan dhe përfunduan sërish me të njëjtën kompani shqiptare si nënkontraktore e turqve tashmë.
Ministria e Infrastrukturës shpalli tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë në dhjetor 2020. Kompania shqiptare “Gjoka Konstruksion” paraqiti ofertën më të ulët, rreth 140 milionë euro, por tenderi u anulua pa ndonjë shpjegim.
Pak muaj më vonë, në qershor 2021, pas një vizite zyrtare në Ankara të Belinda Ballukut, ku ishin të pranishëm Arben Ahmetaj dhe kryeministri Edi Rama, tenderi u rihap. Fitues doli bashkimi i kompanive turke “Intekar Yapi” dhe “ASL Insaat”, me ofertë 30 milionë euro më të lartë se Gjoka, ose rreth 170 milionë euro.
Në mënyrë të pazakontë, “Gjoka Konstruksion” nuk mori pjesë në garën e dytë dhe nuk e ankimoi vendimin e parë, ndonëse kishte ofertën më të ulët.
Duket se palët ishin marrë vesh. Rolet ishin ndarë dhe secili po bënte detyrën e paracaktuar.
Problemi është se pse një punë që Gjoka garantoi se do ta bëntë për 140 milionë euro, tani po e bën sërish Gjoka, por për 170 milionë euro.
Duket se lëvizje e çuditshme, ku turqit vetëm bëjnë letrat dhe çojnë faturat dhe punën e bëri Gjoka është bërë një nga pikat kryesore të hetimit të SPAK.
Por, ka edhe më!
Pas shpalljes fituese, më 8 nëntor 2021, dy kompanitë turke themeluan shoqërinë e përbashkët “Intekar–ASL”, e cila u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit nga Rovena Dorëzi, juriste e punësuar në “Gjoka Konstruksion”.
Dokumentet tregojnë se “Intekar–ASL” nuk kishte asnjë licencë ndërtimi aktive në Shqipëri, megjithatë Ministria e Infrastrukturës ka kryer 36 pagesa me vlerë totale 170 milionë euro për këtë konsorcium.
Në terren, punimet janë kryer nga “Gjoka Konstruksion”, që shfaqej me logot dhe punonjësit e saj gjatë çdo inspektimi të Belinda Ballukut.
Pra, kompania që u përjashtua nga gara përfundoi duke bërë të gjitha punimet si nënkontraktore e kompanive fituese, duke ngritur dyshime për favorizim dhe manipulim të procesit të tenderimit.
Në dhjetor 2022, qeveria shtoi edhe 50 milionë euro në buxhetin e projektit përmes dy akteve normative, të firmosura nga vetë Balluku.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se shtesa e fondeve është bërë pa analizë financiare dhe jashtë afateve ligjore, duke e përkeqësuar më tej situatën ligjore të ministres.
Hetimi i SPAK
Sipas njoftimit të SPAK, hetimet po zhvillohen në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, të bashkuar me procedimet nr.167 dhe 181 të vitit 2024, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.
Balluku u njoftua për akuzën më 21 tetor 2025 dhe u thirr për t’u paraqitur në SPAK më 31 tetor, në orën 15:00. Hetimi fokusohet në mënyrën se si u anulua gara e parë, si u favorizuan kompanitë turke në garën e dytë dhe pse punimet përfunduan tek kompania që fillimisht ishte skualifikuar.
Një foto e publikuar vite më parë, ku Belinda Balluku shihet përkrah Arben Ahmetajt gjatë një takimi në Ankara, është rikthyer në qendër të vëmendjes.

Pikërisht pas asaj vizite, tenderi kaloi nga duart e kompanisë shqiptare te konsorciumi turk.
Hetimet e SPAK pritet të thellohen mbi lidhjet mes zyrtarëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të kompanive turke, ndërsa dosja e tunelit të Llogarasë rrezikon të kthehet në një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit publik të viteve të fundit. /skyweb.al
