Ministri i Brendshëm Taulant Balla foli lidhur me vrasjen e efektivit të “Shqiponjave”, Novruz Cenalia.
28-vjeçari u vra mesditën e sotme me armë zjarri nga Azgan alias Asllan Mernica, i cili është ende në arrati.
Për këtë ministri Balla tha se Forcat e Policisë së Shtetit po punojnë për kapjen e tij, ndërsa i bëri thirrje që të vetedorëzohet.
Balla: Nxis policinë e shtetit që të bëjë gjithçka për arrestimin një orë më parë të autorit. Do bëjmë gjithçka që të ngulitet mirë në këtë vend që është e papranusheshme të ngresh dorë ndaj punonjësit të policisë, aq më rëndë të drejtosh armën. Ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarje. Kam besim te Forcat e Policisë se Shtetit dhe RENEA. Dua ti bëj një thirrje të familjarëve të personit që të vetëdorëzohet në polici.
Efektivi i policisë u vra me armë zjarri pas një konflikti të çastit. Dyshohet se shkak i ngjarjes është bërë sherri mes viktimës dhe autorit për një vend parkimi.
“Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin. Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit. Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, njoftoi policia më herët.