Talibanët thonë se kanë këmbyer të burgosur me Amerikën

Talibanët thonë se kanë liruar inxhinierin amerikan, Mark Frerichs, në këmbim të lirimit nga Uashingoni të një figure të lartë të tyre.

Ministri i Jashtëm në detyrë, Amir Khan Muttaqi, u tha gazetarëve në një konferencë për media se Frerichs u këmbye me Haji Bashir Noorzai në aeroportin e Kabulit, herët më 19 shtator.

Noorzai u arrestua në vitin 2005 dhe u akuzua për kontrabandë me heroinë, në vlerë më shumë se 50 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2009.

Frerichs është një inxhinier dhe veteran i marinës amerikane që ka punuar në Afganistan për një dekadë në projekte zhvillimi. Ai u rrëmbye në fillim të shkurtit 2020.

Në fillim të tetorit të vitit 2021, zyrtarët amerikanë zhvilluan bisedime me përfaqësuesit talibanë.

Ky ishte takimi i parë që prej se SHBA-ja u tërhoq nga Afganistani dhe grupi islamik mori kontrollin e vendit në muajin gusht të të njëjtit vit.

Ky takim nuk do të thotë se SHBA-ja zyrtarisht e njeh sundimin e talibanëve në Afganistan, kishte deklaruar vitin e kaluar Departamenti i Shtetit./REL/


Shtuar 19.09.2022 12:19