Takimi me Ballën dhe Alibeajn, Yuri Kim: Partitë të rrisin transparencën

Paraditen e sotme krerët e grupeve parlamentare ditën e sotme, Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeaj kanë zhvilluar një takim me ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

Mbi këtë takim ka reaguar edhe ambasada amerikane.

Gjatë takimit Kim ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit midis partive, për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë si dhe për të refuzuar përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë. Në fokus të diskutimeve ka qenë gjithashtu integrimi në BE dhe zbatimi i reformës në drejtësi.

“Yuri Kim u takua me drejtuesit e Kuvendit Taulant Balla (PS) dhe Enkelejd Alibeaj (PD) për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh në axhendën e Parlamentit dhe marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri. Ambasadorja Kim vuri në dukje se është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të punojnë së bashku për të rritur transparencën dhe llogaridhënien e të gjitha institucioneve, të refuzojnë përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë, të përmirësojnë rolin mbikëqyrës të Parlamentit dhe ta çojnë Shqipërinë me vendosmëri përpara për të përmbushur kërkesat për anëtarësim të plotë në Bashkimi Europian. Ajo theksoi gjithashtu se tani është koha për të intensifikuar zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën Kuvendi e miratoi unanimisht në vitin 2016 dhe që ka filluar të japë rezultate”./albeu.com