Sot, në Tiranë mbahet takimi i nivelit të lartë mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Lufta në Ukrainë e ka kthyer çështjen e zgjerimit në krye të agjendës së bllokut evropian, pas disa vitesh zvarritjeje e pengesash.
Nga BE-ja, Ballkani Perëndimor pret një sinjal të fortë për të ardhmen e tij në familjen evropiane. Në verë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapën negociatat anëtarësuese, por pyetja që mbetet është nëse procesi i zgjerimit është një prioritet i BE-së. Në mbyllje të punimeve do të jenë presidentët e Këshillit dhe Komisionit Evropian, Charles Michel, Ursula Von Der Leyen dhe Kryeministri Edi Rama që do të dalin para mediave.
Duke filluar nga ora 9:30 do të mbërrijnë liderët në vendin ku do të mbahet Samiti.
Nga ora 10:00 do të bëhet firmosja e marrëveshjes Roaming.
Mbërritja e liderëve të tjerë do të vazhdojë edhe nga ora 10:15 dhe për të filluar me pas me seancën e parë plenare.
Parashihet edhe foto familjare e liderëve te vendeve pjesëmarrëse në Samit dhe pas saj vazhdimi i seancës së dytë plenare.
Nga ora 14:30 do të jetë konferenca e liderëve duke përfshirë presidentin e Këshillit të Evropës, Charls Michel, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
Në këtë samit, kryeministri i Spanjës nuk do të marrë pjesë për arsyeje se vendi që ai përfaqëson e ka Ditën e Kushtetutës në të njëjtën ditë kur është paraparë mbajtja e takimit.
Në të njëjtën ditë, Partia Demokratike, ajo pjesë e saj që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, ka paralajmëruar zhvillimin e një proteste në mbrojtje të vlerave europiane, të cilat siç tha zoti Berisha po kërcënohen nga kryeministri Rama.