Tajfuni i tmerrshëm goditi Japoninë, shënohet viktima e parë, 9 milionë banorë evakuohen

Nëntë milionë njerëzve u është kërkuar të evakuojnë shtëpitë e tyre pasi Japonia është goditur nga një nga tajfunet më të këqij që vendi ka parë ndonjëherë.

Super tajfuni Nanmadol ka shkaktuar një vdekje dhe pothuajse 70 të plagosur, raporton BBC.

Ai goditi ishullin më jugor të Japonisë, Kyushu, të dielën në mëngjes dhe parashikohet të kalojë mbi ishullin kryesor të Honshu në ditët në vijim.

Dhjetëra mijëra njerëz e kaluan natën e së dielës në strehimore emergjente dhe pothuajse 350,000 shtëpi janë pa energji elektrike.

Transporti dhe biznesi janë ndërprerë dhe vendi është i përgatitur për përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu.

Shërbimet e trenave, tragetet dhe qindra fluturime janë anuluar. Shumë dyqane dhe biznese të tjera janë mbyllur dhe thasë me rërë janë vendosur për të mbrojtur disa prona.

Një alarm i nivelit pesë, më i larti në shkallën e paralajmërimit të fatkeqësive në Japoni, është lëshuar për më shumë se 500,000 njerëz në zonat Kagoshima, Miyazaki, Oita, Kumamoto dhe Yamaguchi./albeu.com


Shtuar 19.09.2022 11:00