Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka cilësuar konfliktin pronësor në Vlorë si pasojë të drejtpërdrejtë të dështimit institucional, duke vendosur përgjegjësinë te qeveria dhe kryeministri Edi Rama.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku tha se pas tri ditësh diskutimesh publike janë dëgjuar kryesisht gjysmë të vërteta, ndërsa është lënë në hije çështja kryesore: institucionet shtetërore kanë miratuar dy leje të ndryshme për dy persona mbi të njëjtën pronë.
Të lidhura
None found
Sipas saj, njëra leje lidhet me një investim strategjik, ndërsa tjetra me zhvillimin e pronës. Deputetja theksoi se të dyja autorizimet janë dhënë për të njëjtën tokë dhe për persona të ndryshëm.
Tabaku ngriti pikëpyetjen se si është e mundur që institucionet të kenë ndjekur dy procedura të plota dhe të kenë dhënë leje ndërtimi për dy individë mbi të njëjtën pronë. Ajo tha se përgjegjësia duhet kërkuar që nga hipoteka dhe deri në nivelet më të larta të qeverisë, përfshirë Kryeministrinë.
Vendimin për shpronësimin e pronës dhe kthimin e saj në ullishte, deputetja e interpretoi si një mënyrë për të shmangur hetimin e përgjegjësive administrative. Tabaku deklaroi se asnjë ullishte nuk mund ta largojë përgjegjësinë e qeverisë për korrupsionin e pretenduar në këtë rast.
Duke folur për problematikën e pronësisë në vend, ajo tha se qytetarët presin prej vitesh për regjistrimin e pronave dhe paguajnë miliona lekë në taksa e ryshfete. Sipas Tabakut, situata bëhet edhe më e ndërlikuar kur prona është fituar përmes blerjes apo një transaksioni tjetër.
Deputetja e PD-së e konsideroi ngjarjen e Vlorës një shembull të qartë të kaosit shtetëror me pronat dhe të mungesës së sigurisë juridike. Ajo kritikoi retorikën dhe propagandën, duke theksuar se ende nuk është zhvilluar një hetim administrativ, nuk janë përcaktuar përgjegjësit dhe askush nuk është vendosur përpara përgjegjësisë.
Tabaku pyeti gjithashtu se cilët pronarë do të shpronësohen, duke ngritur dyshimin nëse masa do të prekë të dy personat, njësoj siç të dyve iu dhanë leje ndërtimi për të njëjtën tokë.
Ajo përfundoi duke thënë se nuk mund të ekzistojë një shtet ligjor pa respektimin e së drejtës së pronës.
