Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë në luftën kundër Rusisë.
Në një fjalim video në Këshillin Evropian, Zelensky tha se agresioni kundër Ukrainës është në të njëjtën kohë agresion ndaj çdo vendi të BE-së, sepse objektivi përfundimtar i Rusisë është shumë më larg nga kufiri i Ukrainës dhe sovraniteti ukrainas.
“Gjashtë muajt e ardhshëm do të kërkojnë shumë më tepër nga ne, përpjekje dukshëm më të mëdha se ato që kemi investuar në periudhën e kaluar”, tha Zelensky, duke shtuar se sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës duhet të ndalen.
Zelensky më pas theksoi se Ukraina ka nevojë për më shumë armë moderne, duke shtuar se dërgesat nga vendet aleate duhet të jenë shumë më të mëdha.