Sveçla: Policët kthehen sot në Kosovë, konfirmimi i aktakuzës ndaj tyre lojë e Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas lirimit të tre policëve të arrestuar nga Serbia më 14 qershor.

Ai tha se ndonëse janë liruar “përndjekja nga Serbia do të vazhdojë në liri”.

“Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës.”

“Policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cënimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.”