Një anije luftarake amerikane dhe disa anije tregtare u sulmuan të dielën në Detin e Kuq, njoftoi Pentagoni. Rebelët huthi të Jemenit morën më vonë përgjegjësinë për sulmet ndaj dy anijeve që i cilësuan si të lidhura me Izraelin, por nuk pranuan të kenë sulmuar anijen e Marinës së Shteteve të Bashkuara.
Rasti mund të përfaqësojë një përshkallëzim të mundshëm pas disa sulmesh detare në Lindjen e Mesme të lidhura me luftën Izrael-Hamas.
“Jemi në dijeni të njoftimeve për sulmet ndaj USS Carney-it dhe anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe do të japim informacion sapo të jetë e mundur ”, i tha Pentagoni agjencisë së lajmeve Associated Press.
USS Carney është një destrojer i klasit Arleigh Burke. Nuk është e qartë se çfarë dëmi mund të ketë pësuar anija nga sulmi.
Ushtria britanike tha më herët se ka patur sulme të dyshuara me dronë dhe shpërthime në Detin e Kuq, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Pentagoni nuk tha se nga gjykohet se ishte kryer sulmi. Sidoqoftë, zëdhënësi ushtarak i huthive, Gjeneral Brigade Yahya Saree, tha se anija e parë u godit me raketë dhe e dyta nga një dron, ndërsa gjendeshin në Ngushticën Bab el-Mandeb, që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit. Ai tha se anijet nuk kishin përfillur paralajmërimet që zyrtarët huthi kishin bërë përpara sulmit.
Zoti Saree nuk përmendi përfshirjen e një anijeje luftarake amerikane në këto sulme.
“Forcat e armatosura jemene vazhdojnë t’ua ndalojnë anijeve izraelite lundrimin në Detin e Kuq (dhe Gjirin e Adenit) derisa të ndalet agresioni izraelit ndaj vëllezërve tanë në Rripin e Gazës”, tha ai. “Forcat e armatosura jemene e përsërisin paralajmërimin e tyre ndaj anijeve izraelite, apo ato të lidhura me izraelitët, se do të bëhen objektiv legjitim nëse shkelin atë çka parashikon kjo deklaratë”.
Zoti Saree identifikoi anijen e parë të sulmuar si transportuesin me flamur të Bahamas, Unity Explorer, në pronësi të një firme britanike ndër zyrtarët e së cilës është edhe Dan David Ungar, i cili jeton në Izrael. Anija e dytë e transportit është me flamur të Panamasë, Number 9, e lidhur me kompaninë Bernhard Schulte Ship Management. Gazetarët nuk arritën të vendosin kontakt me drejtuesit e kompanive të dy anijeve.
Mediat izraelite e identifikuan zotin Ungar, si djalin e miliarderit të transportit detar Abraham “Rami” Ungar.
Huthitë kanë bërë një seri sulmesh në Detin e Kuq, si dhe kanë lëshuar dronë dhe raketa drejt Izraelit ndërsa vazhdon lufta.
Një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se sulmi filloi rreth orës 10 të mëngjesit në Sanaa, të Jemenit dhe se vazhdoi për rreth pesë orë. Një tjetër zyrtar amerikan, që gjithashtu foli në rrethana anonimiteti, tha se USS Carney interceptoi të paktën një dron gjatë sulmit.
Linjat e transportit ndërkombëtar të mallrave janë bërë gjithnjë e më tepër objekte sulmi, ndërsa lufta Izrael-Hamas rrezikon të shndërrohet në një konflikt më të gjerë rajonal, megjithë armëpushimin që ndali përkohësisht luftimet dhe gjatë të cilit Hamasi shkëmbeu pengje me të burgosur palestinezë që mbaheshin nga Izraeli. Përfundimi i armëpushimit dhe rifillimi i sulmeve ndëshkimore ajrore izraelite, si dhe ofensiva tokësore, kanë rritur rrezikun e sulmeve detare.
Më herët gjatë nëntorit, huthitë kapën një anije transporti makinash të lidhur me Izraelin, në Detin e Kuq pranë Jemenit. Rebelët vazhdojnë ta mbajnë këtë anije në qytetin port Hodeida. Raketat ranë pranë një tjetër anijeje luftarake amerikane javën e kaluar, pasi ajo ndihmoi një anije të lidhur me Izraelin që u kap për pak kohë nga persona të armatosur.
Sidoqoftë, huthitë nuk patën sulmuar amerikanët prej disa kohësh, duke e shtuar tashmë rrezikshmërinë e konfliktit detar në rritje. Në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara përdorën raketat me vetëdrejtim Tomahawk për të shkatërruar tre objekte radarësh në territorin e kontrolluar nga huthitë, si kundërpërgjigje për raketat që niseshin në atë kohë drejt luftanijeve amerikane. /VOA