Sulmi ndaj Sali Berishës, Këlliçi: Kush donte që ta gjunjëzonte i ka bërë gabim llogaritë

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar gjatë emisionit “Opinion” këtë të enjte se gjendja shëndetësore e Sali Berishës është shumë e mirë dhe kjo u pa qartë nga fjalimi i tij para të rinjve demokratë. Sipas Këlliçit kushdo që ka menduar se do të gjunjëzonte Berishën më 6 Dhjetor, i ka bërë llogaritë gabim.

“Po ta shihni nga fjala dhe i gjithë aktiviteti i tij ditën e sotme është shumë i motivuar dhe shumë i karikuar në këto ditë fill pas ngjarjes së shëmtuar në datën 6 që ka qenë skandaloze. Më vjen mirë që gjithë opinioni publik është sensibilizuar dhe gjithë janë shprehur kundër dhunës. Por nga ana tjetër nuk mund të rri pa përmendur faktin që kushdo që ka menduar që do të arrinte ta gjunjëzonte, kam përshtypjen mund të jenë bërë llogaritë gabim sepse në ka diçka që diçka Sali Berisha nuk e bën, është të tërhiqet. Këtë e ka treguar më së miri sot, me deklaratat, me qasjen dhe qëndrimin e tij. Jam i bindur që me të njëjtin ritëm do të vijojë në ditët në vijim”, u shpreh ai.

Në lidhje me ngjarjen e 6 Dhjetorit, kur Berisha u godit me grusht nga Gert Shehu, Këlliçi akuzoi qeverinë. Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Tiranës, ku Shehu është dënuar për kanosje dhe plagosje në vitin 2017 tregon që autori nuk ka qenë me probleme mendore. Nga ana tjetër, shtoi se për të faktet tregojnë që ngjarja ka qenë e parapërgatitur pasi vërtetimi mjekësor ka qenë false dhe është shpërndarë në kohë rekord në portalet e majta.

“Ky njeri vetëm me probleme mendore nuk është. Ky njeri vetëm me të meta nuk ka qenë, nuk është dhe duke rinovuar edhe patentën në vitin 2022, kjo alibi bie. Vetë fakti që qeveria ka patur gati të gjitha deklaratat vërtetimin ‘fake’ mjekësor që është nxjerrë për të për t’u shpërndarë në kohë rekord brenda pak minutave në të gjitha portalet e majta, në të gjitha redaksitë e lajmeve, tregon që ka qenë në një farë mënyre e parapërgatitur. Pra pritej kjo ngjarje”, u shpreh Këlliçi. /tvklan.al