Sulmi kibernetik, Rama: Dyshojmë tek dy shtete, NATO po na mbron

NATO është përfshirë në përpjekjen e mbrojtjes që po bën Shqipëria ndaj sulmit kibernetik që prej të premtes së kaluar. Kjo u konfirmuar nga vetë kryeministri Edi Rama teksa sot ndodhej në një tryezë me drejtuesit e rinj të Partisë Socialiste pas përmbylljes me sukses të garave për përzgjedhjen e tyre në të 61 bashkitë e vendit.

“Jemi në kushte të sulmit kibernetik super te sofistikuar. Ka përfshirë në procesin e mbrojtjes dhe kundërsulmit  NATO në kundërsulm. Dhe po punohet me një skuadër përtej skuadrës tonë.” tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë ka dy shtete që Shqipëria dyshon që kanë ndërmarrë këtë sulm të rëndë dhe të sofistikuar. Megjithatë Rama nuk ka përmendur emra duke thënë se ende nuk është vërtetuar me prova se cili prej tyre ka sulmuar portalet qeveritare.

Duke u ndalur tek kompleksiteti i këtij sulmi, kryeministri theksoi se është tepër i rëndë dhe se nuk bëhet fjalë për hakera të thjeshtë që sulmojnë qeverinë.

Rama shtoi se të gjitha të dhënat nuk janë dëmtuar, pasi në to nuk ka informacione sekrete dhe që dëmtojnë shtetin.

“Platforma është rikthyer në punë dhe po vazhdon puna për rikthimin e shërbimeve. Pas një sulmi shumë kompleks dhe që ne besojmë është një sulm i organizuar nga një shtet. Nuk është çështje hakerash, por është një shtet mbrapa këtij sulmi. Nuk e dimë ende me binde të plotë ta verifikojmë shtetin. Dy janë shtet që dyshojmë e them këtë për të thënë se sulmi është kompleks dhe agresiv. Sistemet nuk kanë çeduar në aspektin e shkatërrimit të tyre”, u shpreh Rama./albeu.com


Shtuar 20.07.2022 18:56