Sulmi kibernetik ndaj faqes së Bashkisë së Tiranës, shtyhet afati për regjistrimin në çerdhe, aplikimet do të lejohen deri në …

Pas sulmit kibernetik të ndodhur më 20 qershor ndaj sistemit të Bashkisë së Tiranës, është ndërprerë funksionimi i platformës online e-femijet.tirana.al, përmes së cilës kryheshin aplikimet për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte publike.

Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka vendosur të shtyjë afatin e aplikimeve deri më 30 qershor 2025, duke ofruar një zgjidhje fizike për prindërit që nuk arritën të përfundojnë procesin në datat 2–20 qershor.

Në një njoftim zyrtar, Bashkia bën me dije se qytetarët mund të paraqiten për aplikim fizik në Drejtorinë e Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve, me adresë në Rrugën “Barrikadave”, në datat 25, 26, 27 dhe 30 qershor.

Prindërit mund të kryejnë:

Regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte publike

Kalimin e fëmijëve nga çerdhja në kopsht

Në njoftim theksohet se kriteret dhe dokumentacioni i nevojshëm janë të njëjtat dhe mund të konsultohen në materialin bashkëngjitur.


Shtuar 24.06.2025 11:56