Sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS, reagon Ministria e Brendshme

Ministria e Brendshme ka reaguar lidhur me sulmin kibernetik të ndodhur mbrëmjen e djeshme në sistemin TIMS.

Sipas Ministrisë, sulmi është bërë nga e njëjta dorë që ka kryer edhe sulmin kibernetik të muajit korrik mbi e-Albania.

Gjithashtu theksohet se puna në këtë sistem do të kthehet shumë shpejt në normalitet.

Njoftimi i Ministrisë së Brendshme:

��� Mbrëmjen e kaluar sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik. Nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë.

��� Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacënueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal. Për efekt sigurie sistemet tona, përfshi atë TIMS, kanë qëndruar përkohësisht të mbyllura derisa rreziku të shmangej plotësisht. Shumë shpejt sistemi TIMS do të rikthehet në punë.

��� Maksimalisht të vendosur, bashkë me aleatët tanë, vazhdojmë punën për të bërë gjithçka duhet që sistemet tona digjitale të jenë të sigurta dhe shërbimi ndaj qytetarëve të mos ndërpritet në asnjë rast./albeu.com/