Të paktën një person është vrarë nga një sulm raketor rus në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, tha kryebashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko.
Kievi është sulmuar me raketa nga Rusia. Ky duket të jetë një sulm mbarëkombëtar, pasi sulme të njëjta po raportohen edhe në Zaporizhja Mykolaiv, Chernihiv dhe vende tjera.
Sipas Klitschkos, mes atyre që u goditën janë edhe dy ndërtesa banimi afër qendrës së Kievit. Ai tha se disa raketa ruse janë rrëzuar me sukses, dhe se ekipet e shpëtimit janë në vendin e ngjarjes.
Ai tha se si pasojë e këtij sulmi të paktën gjysma e popullsisë së Kievit ka mbetur pa energji elektrike.
Zyrtarët atje thonë se banorët po qëndrojnë të strehuar në vende të ndryshme nga frika e sulmeve të tjera.
Ky sulm po ndodhë derisa liderët botërorë janë mbledhur në Bali të Indonezisë në samitin e G20-tës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, ku kanë dënuar pushtimin rus të Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u tha liderëve botërorë më 15 nëntor, përmes video-lidhjes, se koha për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë është “tani”.
Andriy Yermak, shefi i zyrës së Zelenskyt tha se ky sulm “masiv” raketor është “përgjigjja” e Rusisë ndaj fjalimit të presidentit të Ukrainës në samitin e G20-ës.
“A mendon dikush se Kremlini dëshiron seriozisht paqen? Kremlini dëshiron bindje. Por, në fund terroristët humbasin gjithmonë”, shkroi ai në Twitter.
Kjo është hera e parë që G20-ta takohet prej se Rusia ka nisur pushtimin në fund të shkurtit.
Javën e kaluar Moska ka tërhequr trupat e saj nga qyteti jugor Herson – një nga sukseset më të mëdha të Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus.
Në të kaluarën, kur Rusia ka pësuar humbje në terren, ajo ka sulmuar përmes ajrit.