Gjithnjë e më shumë të rinj janë përfshirë në luftën e bandave që është ndezur në Suedi muajt e fundit, tha shefi i policisë kombëtare të vendit, pasi tre persona u vranë në incidente të dhunshme në 24 orë që tronditën publikun.
“Ne jemi në një situatë ku fëmijët po kontaktojnë vetë organizatat kriminale duke kërkuar të kryejnë vrasje”, tha shefi i policisë suedeze Anders Thornberg gjatë një konference për shtyp.
Suedia ka qenë prej kohësh e rrënuar nga dhuna e lidhur me bandat rivale dhe bandat që luftojnë për të kontrolluar tregtinë e drogës dhe armëve.
Kjo dhunë është përshkallëzuar muajt e fundit për shkak të një konfrontimi që ka shpërthyer brenda njërës prej këtyre bandave. Incidentet e të shtënave dhe shpërthimeve janë pothuajse një dukuri e përditshme.
“Kriminelët janë të pamëshirshëm”, tha Thornberg, duke përshkruar sistemin që ata ndjekin kur duan të largojnë rivalët e tyre: ata përdorin njerëz jashtë bandave, shpesh të mitur. Ata u japin armë dhe drejtim për të shkuar në sulm. Viktimat janë gjithashtu të rinj, në shumicën e rasteve.
Sipas një raporti nga rrjeti televiziv shtetëror SVT, 12 njerëz u vranë nga të shtënat dhe shpërthimet në shtator, numri më i lartë i regjistruar në një muaj të vetëm në katër vjet.
Natën e së mërkurës ndaj të enjtes janë shënuar tre vrasje, viktima të të cilave ishin ndër të tjera një i ri 18-vjeçar dhe një grua 25-vjeçare.
“Fëmijët duhet të kenë besim në të ardhmen, fëmijët dhe të rinjtë nuk duhet të duan të bëhen vrasës”, theksoi Thornberg.
Mats Lindström, një oficer policie në zonën e Stokholmit, i cili ka ekzaminuar shumë mesazhe përmes të cilave jepen urdhra për vrasje, konfirmoi se shpesh janë të rinjtë ata që kërkojnë të marrin përsipër këto “kontrata”.
“Ne shohim që ata shkruajnë: “A ka kontrata? Unë dhe shoku im jemi në dispozicion për 200,000 krona”, shpjegoi ai. Ata e bëjnë “për të fituar statusin, për t’u bërë dikush, për të pasur “reputacionin e një vrasësi”, siç i zbuloi një i ri gjatë një hetimi.
Në gusht 2023, 69 të mitur ishin në paraburgim në Suedi, krahasuar me 14 në të njëjtin muaj të vitit 2021.
Ushtria
Të enjten, kryeministri suedez Ulf Kristerson tha se do të kërkonte ndihmën e ushtrisë për të ndihmuar policinë në punën e tyre dhe për t’i dhënë fund dhunës.
“Unë jam në anën tuaj, ne do të shkojmë pas bandave dhe do t’i shkatërrojmë. Ata do të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë”, theksoi Christerson gjatë fjalimit të tij televiziv.
Ai vlerësoi se “ligji suedez nuk ka dispozita për luftën e bandave dhe fëmijët ushtarë, por ne kemi filluar procesin për ta ndryshuar këtë”.
Social Demokratët (majtas) dhe Demokratët e Suedisë (djathtas ekstreme) propozuan mobilizimin e ushtrisë për të ndihmuar policinë në punën e tyre.
“Kam thirrur kreun e policisë kombëtare dhe kreun e ushtrisë për të parë se si forcat e armatosura mund të ndihmojnë policinë të merret me bandat,” vuri në dukje Christerson.
“Integrimi dështoi”
“Krimi ka arritur një nivel që nuk e kemi parë kurrë më parë. Situata është serioze në Uppsala dhe në të gjithë vendin”, tha zyrtarja e Uppsala, Katarina Bowal.
Është e mundur që kjo të lidhet me grindjet e brendshme në mbarë vendin midis bandave kriminale, shtoi ai.
Christerson ia doli gjithashtu kundër “naivitetit dhe pamaturisë që na çoi këtu. Emigracioni i pamatur dhe mosintegrimi na çuan” në këtë situatë, vlerësoi ai.
Kryeministri suedez, kreu i të moderuarve, arriti një marrëveshje me të djathtën ekstreme vitin e kaluar për të ardhur në pushtet. Në parlament, ajo është bërë aleate me partinë e ekstremit të djathtë, Demokratët Suedezë kundër imigracionit, e cila megjithatë nuk është pjesë e qeverisë.