Suedia konfirmon aktin e sabotazhit në gazsjellësit Rrjedha Veriore 1 dhe 2

Zyrtarët suedezë kanë konfirmuar të premten se shpërthimet që kanë shkatërruar disa pjesë të gazsjellësve që bartin gazin nga Rusia në Gjermani, kanë qenë akte sabotazhi.

“Analizat e kryera kanë gjetur shenja të materialeve shpërthyese të disa objekteve të huaja”, ka thënë prokurori Mats Ljungqvist, i cili është duke udhëhequr hetimet preliminare.

Ljungqvist ka shtuar se analizat teknike janë duke vazhduar për të arritur deri te përfundimet edhe më të besueshme sa i përket incidentit.

Autoriteti i Prokurorëve të Suedisë ka thënë se “hetimet që janë duke vazhduar, do të tregojnë nëse dikush do të konsiderohet zyrtarisht i dyshuar për krimin”.

Katër rrjedhje janë zbuluar në dy gazsjellësit – Rrjedha Veriore 1 dhe 2 – në fund të muajit shtator.

Hetuesit veçse patën dyshuar se shpërthimet kanë qenë akte sabotazhi.
Këta gazsjellës, që lidhin Rusinë me Gjermaninë, kanë qenë në qendër të tensioneve gjeopolitike, pasi Rusia ka ndalur furnizimet me gaz në Evropë, vendim që Perëndimi e konsideron si hakmarrje për sanksionet që i janë vënë Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Ndonëse gazsjellësit nuk kanë qenë duke punuar kur kanë ndodhur rrjedhjet, në brendi të tyre ka pasur gaz që është bartur në ujë dhe atmosferë.

Uashingtoni dhe Moska kanë hedhur poshtë çfarëdo përfshirje në këto incidente.