Një stuhi e fuqishme dimërore, ka goditur verilindjen e Shteteve të Bashkuara, duke paralizuar jetën në qytetin e Nju Jorkut dhe zonat përreth, ndërsa autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në New Jersey.
Reshjet e dendura të borës dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar kaos në transport, veçanërisht në trafikun ajror.
Sipas të dhënave nga FlightAware, më shumë se 1.600 fluturime janë anuluar, ndërsa mbi 7.400 të tjera janë vonuar në mbarë vendin.
Aeroportet më të prekura janë John F. Kennedy, Newark Liberty dhe LaGuardia, të cilat shërbejnë zonën metropolitane të Nju Jorkut.
Probleme të mëdha janë raportuar edhe në Boston, Chicago dhe Toronto.
Nga kompanitë ajrore, JetBlue, Delta Air Lines, American Airlines, United Airlines, Republic Airways dhe Southwest Airlines kanë anuluar qindra fluturime, për shkak të kushteve të rrezikshme atmosferike.
Autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të qëndrojnë në shtëpi.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, u ka kërkuar banorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të udhëtojnë vetëm nëse është absolutisht e domosdoshme.
