Stuhi me reshje të forta shiu në Vlorë, pushuesit “ia mbathin” nga plazhi, rrugët bëhen “gjol”

Qyteti bregdetar i Vlorës është përballur pasditen e kësaj të mërkure me stuhi dhe reshje te forta shiu, të cilat kanë nisur papritur dhe kanë zënë në befasi pushuesit që kanë zgjedhur jugun.

Siç shihet dhe nga kjo foto, rrugët janë bërë gati të pakalueshme për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve dhe sasisë së madhe të ujit që ka përfunduar në rrugë, ndërsa edhe fushëpamja është e kufizuar.

Pamje nga zona historike e Vlores
Problematike situata ka qenë në lagjet “Pavarësia”, “Skelë” dhe “Transballkanike”, ka pasur vështirësi në qarkullimin e mjeteve për shkak të prezencës së ujit në rrugë, por edhe trafikut të rënduar nga lëvizja e menjëhershme e pushuesve dhe banorëve vendas.

Rruga “Albano Romina” është përmbytur dhe niveli i ujit nga stuhia e fuqishme ka shkuar deri ne 30 centimetra. Kjo është një nga zonat më problematike, e cila përmbytet sapo nisin reshjet e shiut.


Shtuar 5.08.2025 19:01

Tags: ,