Stuhi dëbore e temperatura rekorde, i ftohti kaplon Pekinin

Kryeqyteti i Kinës, Pekini, ka regjistruar më së shumti orë të temperaturave nën zero gradë Celsius gjatë muajit dhjetor që nga viti 1951, pasi që një valë e ftohtë i ka përfshirë zonat veriore dhe qendrore të Kinës, duke sjellë stuhi dëbore dhe temperatura rekode.

Që nga 11 dhjetori, më shumë se 300 orë me ngricë u regjistruan nga një observator i motit në kryqytetin kinez.

Kjo është ngrica më e madhe që është regjistruar, ndonjëherë në Pekin që kur filluan regjistrimet në vitin 1951, sipas gazetës zyrtar Beijing Daily.

Kryeqyteti kinez kaloi nëntë ditë radhazi me temperatura nën minus dhjetë gradë Celsius, shtoi gazeta.

Pjesë të Kinës veriore dhe qendrore janë prekur nga të ftohtit e acartë këtë muaj, ndërkohë që autoritetet kanë mbyllur shkollat dhe autostradat disa herë për shkak të stuhive të borës.

Temperaturat në 78 stacione meteorologjike nëpër Kinë arritën nivelet më të ulëta rekorde për muajin dhjetor, ndërsa temperaturat mesatare këtë muaj, në veri dhe disa pjesë qendrore të Kinës, arritën në nivelet më të ulëta rekorde të vendosura në vitin 1961, sipas Qendrës Kombëtare Meteorologjike.

Ky vit ka sjellë mot ekstrem në kryeqytetin kinez pasi që, gjashtë muaj më parë, Pekini kishte regjistruar edhe ditën më të nxehtë të qershorit, pak më shumë se 40 gradë Celsius.

Ndërkohë, edhe disa pjesë të Japonisë veriore dhe Koresë së Jugut po përballen me mot të ftohtë ekstrem – me reshje të mëdha dëborë dhe temperatura të ulëta.


Shtuar 25.12.2023 11:22