Stefi Prifti flet për herë të parë për lidhjen e re në distancë: As nuk e kërkova, as nuk më kërkoi

Kanë kaluar 7 vjet që kur bashkëshortja e Stefi Priftit u nda nga jeta para kohe duke lënë pas dy vajza dhe këngëtarin me një dhimbje të madhe. Por jeta bën të sajën, u jep mundësi të tjera njerëzve për të jetuar, pavarësisht dhimbjes, e cila asnjëherë nuk zhduket.

Stefi Prifti, i ftuar pasditen e djeshme në “Rudina”, së bashku me Endrin, për të promovuar këngën e tyre të re “Lozonjare”, nuk shpëtoi nga pyetja për jetën personale.

Dy muaj më parë, në ditëlindjen e tij të 55-të, Stefi postoi një foto në llogarinë e tij në Instagram, përmes së cilës zbuloi se ishte në një lidhje të re prej disa kohësh, e cila e ka bërë shumë të lumtur.

I emocionuar dhe pa shumë dëshirë për të zbuluar më shumë për këtë raport të tij të ri, Stefi tha se, në fakt, as ai dhe as partnerja e tij, nuk e kishin pasur qëllim të kërkonin një lidhje në jetën e tyre. Gjithçka kishte ardhur shumë natyrshëm. Nga një telefonatë…

As nuk e kërkova, as më kërkoi… Në kuptimin që nuk u njohëm as në koncerte, as në club-e, as në bare, por u njohëm përmes një telefonate pune, prej së cilës rrodhën disa telefonata të tjera dhe mua m’u krijua një emocion, një ndjesi për zërin, mënyrën e komunikimit, edukatën. Këto ishin elementët e parë që krijuan këtë lidhje… “ – tregon Stefi duke shtuar se, pas 7-vjetësh nga humbja e bashkëshortes, ai “kishte gjetur veten” me dhimbjen dhe bindjen e tij. Por jeta kështu është. Të sjell surpriza.

Për partneren e tij, Stefi ka vlerësimin maksimal, edhe pse lidhja e tyre, për momentin është në distancë, sepse ajo nuk jeton në Shqipëri. Por ajo që thekson këngëtari është mirëkuptimi që ka gjetur me dy vajzat e tij:

“Pata mirëkuptimin e vajzave të mia, sepse ky ishte një problem shumë i rëndësishëm për mua, në atë moment kur m’u desh të vendosja. Por gjeta mirëkuptimin e tyre, pasi ato e njohën nga afër, kontaktuan me të, biseduan, qëndruan gjatë, kështu që ndihem shumë mirë për këtë”.


Shtuar 6.09.2023 09:05