Spiropali kujtohet pas 13 vitesh për Gërdecin: Basha në Vorë duhet të kërkonte falje

Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në Kuvend, ka sulmuar ashpër kreun demokrat Lulzim Basha. Ajo ka deklaruar se Basha dje në Kamëz dhe Vorë duhet të kërkonte falje dhe jo vota.

Kujtojmë se dita e djeshme ka shënuar përvjetorin e 13 të tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona gjatë qeverisjes së Berishës.

“Lulzim Basha në një ‘Covid party’ vizitoi Vorën dhe Kamzën. Nuk kërkoi falje, por vota. Duhet të kishte kërkuar falje. Dje ishte 13 vjet pas tragjedisë së Gërdecit. Zgjodhi këtë ditë për tua ngulur thikën më thellë për të prezantuar kandidatë. Numri 5 përgjegjësi kryesor i tragjedisë, numri 6 Fatmir Mediu, ministri që firmosi pa asnjë teklif për llogari të djalit.

Dje u prezantuan aty. Nuk kanë mbajtur përgjegjësi. U dënuan për aksident teknologjik disa prej tyre, por ata që firmën nuk u përballën me drejtësinë. Si kanë guxim numri 5 dhe 6 dhe këta kërkojë vota në Gërdec. Si u kthye në vendin e krimit? Tani mjafton të kthejnë edhe djalin, ta bëjnë shef kabineti dhe është e kompletuar lista e Tiranës.

Më pas u kthye në Kamzë, kërkoi vota dhe jo falje. Në krah me Flamur Nokën , duhet ti kërkojnë ndjesë atij komuniteti që Xhelal Mziu e la në kushte mesjetare. Pa çerdhe, pa shkolla,i la njerëzit të ndërtojnë shtëpitë e tyre me përpjekje mbinjerëzore, pa politika strehimi dhe sociale. Luftonin për vete. I trajtoi si plaçkë ata njerëz. Shkoi aty në Covid party me burra, duhet të ishte i përulur përballë atij komiteti dhe të thoshte: na falni o njerëz. Nuk kërkoi falje Basha, kërkoi votën për Flamur Nokës, se Xhelalin e ka çuar në Dibër. Nuk kanë asnjë grua në takime, janë të njëjtët fytyra, të njëjtët surretër. Ndryshime me ne është shumë i madh. Vetëm këtë vit në Kamëz kemi çuar 60 milion euro investime”, tha Spiropali.


Shtuar 16.03.2021 10:48