Spektakël me 4 gola, por s’ka fitues në “Allianz”, Dybala e Chiellini përshëndeten me tifozët

Juventusi nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 me Lazion në “Allianz Stadium”, në takimin e javës së 37-të të Seria A.

Që në minutën e 10-të zhbllokohet ndeshja, pasi Dushan Vlahovic mposht portierin Thomas Strakosha. Vetëm 7 minuta më vonë, i gjithë stadiumi ngrihet në këmbë për të përshëndetur kapitenin e tyre, Giorgio Chiellinin, teksa zgjodhën pikërisht minutën e 17-të, pasi ky numër simbolizon edhe vitet e kapitenit me fanellën e “Zonjës së Vjetër”. Shiriti kapitenit kaloi në krahun e një tjetër futbollisti i cili sonte luajti edhe ndeshjen e fundit përpara publikut të tij, Paulo Dybala.

Për të kaluar tek ndeshja, në të 30-të Morata do të dyfishonte shifrat dhe festë në kampin e bardhezinjve, me pjesën e parë që mbyllet me avantazhin e dyfishtë të  zotëve të shtëpisë.

Në fraksionin e dytë, Alex Sandros 51 do të shënonte në portën e tij për të rihapur takimin. Në minutën e 78-të një tjetër moment emocionues në “Allianz”, pasi këtë herë Dybala do të përshëndetej me të pranishmit, pas 7 vitesh si bardhezi.

Kur dukej se gjithçka do të përfundonte në favorin e “Zonjës së Vjetër”, Milinkovic-Savic mendoi të shënonte dhe golin për 2-2, duke “fikur” kështu të gjithë tifozët juventinë, të cilët shpresuan te fitorja si një shenjë falënderimi për Dybala dhe Chiellini.

Skuadrat ndajnë kështu nga një pikë në përballjen mes tyre, që padiskutim vëmendjen e morën Dybala dhe Chiellini. /H.ll/albeu.com


Shtuar 16.05.2022 22:54