Votuesit spanjollë do të shkojnë të dielën drejt vendvotimeve në një palë zgjedhje të përgjithshme që mund ta bëjnë Spanjën vendin më të fundit anëtar të Bashkimit Evropian që do të kalojë nga e djathta.
Kryeministri Pedro Sanchez ka thirrur zgjedhje të parakohshme, pasi Partia e Punëtorëve Socialistë Spanjollë dhe partneri i saj nga ekstremi i majtë, Unidas Podemos (Bashkë Mundemi), u mposhtën në zgjedhjet lokale dhe rajonale në maj. Sanchez është kryeministër që nga viti 2018.
Shumica e anketave të opinionit për zgjedhjet e 23 korrikut e kanë vënë Partinë Popullore të krahut të djathtë, e cila ka fituar zgjedhjet në maj, para socialistëve të Sanchezit, por kanë parashikuar se asaj do t’i duhet mbështetja e partisë së ekstremit të djathtë, Vox, për të formuar një qeveri, raporton AP.
Një koalicion i tillë do të kthente një forcë të ekstremit të djathtë në qeverinë spanjolle për herë të parë që kur vendi kaloi në demokraci, në fundin e viteve ’70, pas sundimit gati 40-vjeçar të diktatorit Francisco Franco.
Kundërshtarë të tyre janë socialistët dhe një lëvizje e re, e quajtur Sumar, e cila ka bërë bashkë 15 parti të vogla majtiste për herë të parë.
Teksa asnjë parti nuk pritet të fitojë një shumicë absolute, spanjollët praktikisht do të zgjedhin ndërmjet një tjetër koalicioni majtist dhe një partneriteti mes krahut të djathtë dhe ekstremit të djathtë.
Qeveria e Sanchezit e ka drejtuar Spanjën gjatë pandemisë së COVID-19 dhe është marrë me një rënie ekonomike të nxitur nga inflacioni dhe të përkeqësuar nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë.
Por, varësia e tij nga partitë e ekstremit për të ruajtur koalicionin e tij pakicë, përfshirë forcat separatiste nga Katalonja dhe Baskia, dhe miratimi i disa ligjeve liberale mund t’i kushtojë me pozitë.
Të djathtët nuk e pëlqejnë fare Sanchezin, i cili, sipas tyre, e ka tradhtuar dhe e ka shkatërruar Spanjën. Ata duan t’u shfuqizojnë shumë prej ligjeve të tij, prej të cilave kanë përfituar miliona qytetarë dhe mijëra kompani.
Zgjedhjet po mbahen në kulmin e verës, teksa miliona votues do të jenë duke pushuar larg qendrave të tyre të votimit. Por, kërkesat për votim me postë janë rritur, ndërsa zyrtarët kanë parashikuar një pjesëmarrje prej rreth 70 për qind të personave më të drejtë vote.
Në vazhdën e valëve të të nxehtit gjatë korrikut, temperaturat mesatare pritet të jenë mbi 35 gradë celsius, dhe të shkojnë ndërmjet 5 dhe 10 gradë mbi normalen në shumë pjesë të vendit, të dielën.
Mbi 36 milionë votues në Spanjë do të mund t’i hedhin votat e tyre ndërmjet orës 9 të mëngjesit dhe 8 të mbrëmjes, ndërsa rezultatet pothuajse përfundimtare pritet të bëhen të ditura para mesnatës./rel