Këtë të hënë, Prokuroria e Posaçme, ka shtuar për dy ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë, një tjetër akuzë. Prokurori i çështjes Klodian Braho, ka shtuar akuzën “pastrim parash” Redi Mollës si dhe Mariglen Qatos.
Komunikimi i akuzës tjetër, atyre dhe avokatëve iu bë e njohur në seancën e sotme, e cila u zhvillua në orën 10.00.
Ndërsa për Taulant Tushen, u kërkua zgjatja e afatit hetimor me tre muaj, kërkesë e cila u pranua nga gjykata.
Në 2 korrik të këtij viti, SPAK i komunikoi akuzat “Korrupsion pasiv” dhe “mosdeklarim të pasurisë” Mollës dhe Qatos, ndërsa Tushes i komunikoi akuzën “shkelje e barazisë në tendera”.
Tushe, Molla dhe Qato, u arrestuan në muajin mars të këtij viti me urdhër të Prokurorisë së Posaccme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”.
Tre ish-drejtorët u lanë në masën “arrest në burg”, ndërsa pesë persona të tjerë në masën “detyrim paraqitje”, konkretisht Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Deborah Kecci dhe Englatina Zere.
Sipas Spak, Qato dhe Molla, janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve, ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë.
Bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi në harkun kohor të 6 viteve, nga 2016 deri në 2022. Kompania njihet dhe me dy emra të ndryshëm “Igor Electric” dhe “Vas construcion”.
Me akuzën e re Mollës dhe Qatos i zgjatet afati hetimor edhe një vit, ndërsa Tushes i përfundon pas tre muajsh.