Struktura e Posaçme SPAK, ka publikuar arsyet që çuan në anullimin e tenderit me vlerë financiare prej 1 milion e 105 mijë euro, shumë kjo që do shpenzohet nga prokuroria për blerjen e paisjeve për sistem mbrojtje antiransomëare, storage, server dhe sëitch.
SPAK, njofton se shkak i anullimit të këtij tenderi është bërë për arsyen se në këtë procedurë me një faze, nuk është dorëzuar asnjë ofertë ekonomike e përshtatshme.
Në këtë tender nuk kishte asnjë garë, pasi siç ka raportuar edhe më parë “Ora News” tenderi ishte paracaktuar pikërisht tek kompania “Axians Albania” që administrohet nga Kleanthi Prifti.
Sipas burimeve, kjo kompani ka hyrë e vetme në këtë tender të SPAK, duke përdorur formatin e Bashkimit të Operatorëve “Axians Albania” plus “Atom”.
Asnjë kompani tjetër shqiptare, nuk ka marë pjesë në këtë procedurë, pasi më parë ishte mësuar prej tyre se tenderi ishte paracaktuar dhe fitues do shpallej pikërisht Bashkimi i Operatorëve të mësipërm.
Edhe pse ka dhënë ofertën ekonomike, SPAK vendosi të mos e marë parasysh këtë ofertë, duke anulluar tenderin që ishte paracaktuar më parë.
“Atom” dhe “S&T alias Axians Albania”, janë dy kompani në dukje të ndryshme nga njëra-tjetra.
Por ato kanë një lidhje shumë të fortë. Dominimin e tenderave të OSHEE-së në sektorin e IT-së.
Dhe ky është një biznes shumë i madh, që tashmë këto dy kompani po e shtrijnë në formë monopoli jo vetëm në OSHEE por dhe tek tenderat e SPAK.
E gjithë procedura e tenderin me vlerë të përgjithshme prej 1 miliard e 647 milion lekë, por e ndarë në 5 lote të posaçëm, ka nevojë për tu hetuar nga vetë SPAK.
Kjo strukturë heton të gjithë tenderat e administratës Shtetërore, por asnjëherë nuk ka marë një rast të vetëm dhe hetojë tenderat e saj. Askush nuk i kontrollon, madje as KLSH-ja.
Tenderi me vlerë 1.6 miliard lekë vjen në një kohë kur dhe partnerët e huaj të SPAK, kanë investuar mjaft para në donacione, duke dhuruar sisteme kompjuterike për këtë Prokurori të Posaçme.