SPAK ka mbyllur zyrtarisht hetimet për dosjen “Partizani”. Personat që SPAK i ka marrë të pandehur, janë ftuar prane organit të Prokurorisë për të firmosur mbylljen e hetimeve.
Mësohet se disa nga të pandehurit e kësaj çështje do të paraqiten këtë të hënë, ndërkohë që mbrojtja ligjore e Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës, do paraqitet ditën e mërkurë.
Së bashku, me mbylljen e hetimeve, të pandehurit do të marrin edhe aktet përfundimtare në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj tyre nga struktura e posaçme.
Rreth 10 ditë më parë, SPAK i komunikoi Berishës akuzën “korrupsion pasiv”, ndërsa dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi “korrupsion pasiv dhe pastrim parash”.
I pandehur u mor edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja si dhe financieres Andia Pustina.