Ditën e sotme, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), shqyrton kërkesën e SPAK për pushimin e procedimit për gjyqtaren Irena Gjoka, e kallëzuar nga PD për falsifikim të vulave dhe formularëve.
Në seancë, në cilësinë e kallëzuesit kanë shkuar edhe avokati e Sali Berishës, Genc Gjokutaj si edhe vetë Jamarbër Malltezi.
Të lidhura
None found
Gjyqtarja Gjoka, u kallëzua nga Partia Demokratike me pretendimin se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë në Janinë.
Por, sipas SPAK-ut, procesi ndaj saj është zhvilluar në mungesë dhe ajo nuk ka qenë në dijeni, duke shtuar se edhe sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit.
Bëhet fjalë për një proces gjyqësor në Greqi në vitin 2005, ku është konstatuar në dy episode në kufi, se Irena Gjoka ka përdorur “dokumente të parregullta dhe ka bërë tentativa për hyrje me të dhëna të ndryshme identifikuese”.
SPAK konfirmon se gjyqtarja Irena Gjoka “është deklaruar fajtore për veprën penale të parashikuar nga legjislacioni penal grek “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek”, e dënuar me burgim dhe gjobë (konvertuar në gjobë sipas dispozitivit të vendimit)”.
Prokuroria e Posaçme, ka kërkuar pushimin e procedimit penal për gjyqtaren Gjoka me argumentin se; “nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të ndjekjes penale dhe se nuk provohet që magjistratja të ketë kryer vepër penale”.
SPAK shpjegon se në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga mediat greke, nuk figurojnë të dhëna për një dënim penal për Gjokën, teksa në formularin e vetëdeklarimit ka shkruar se nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.
Një tjetër fakt që SPAK rreshton, është se përveç se procesi ndaj saj në Greqi është zhvilluar në mungesë dhe ajo nuk ka qenë në dijeni, është dhe se sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit.
