SPAK kërkesë Kuvendit për arrestimin e Ahmetajt, vjen reagimi i parë nga PD

Sot në Kuvend ka mbërritur kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetajt.

Deputeti akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie.

Me kërkesën e SPAK, pritet që Ahmetajt t’i hiqet imuniteti i deputetit për t’i hapur rrugë arrestimit të tij.

Në lidhje me këtë kërkesë të SPAK ka reaguar Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili shkruan se është e drejtë, por e vonuar.

Gjithashtu Bardhi bën thirrje se SPAK duhet t’i shkojë deri në fund kësaj pune duke vënë para përgjegjësisë edhe kryeministrin Edi Rama, të cilën e cilëson si kreu i aferës korruptive.

Reagimi i Bardhit:

1/2. Kërkesa për të çuar Arben Ahmetaj para drejtësisë për aferën korruptive të inceneratorëve është një veprim i drejtë, por i vonuar dhe i paplotë. SPAK duhet t’i shkojë deri në fund, duke bërë një hetim të plotë dhe të gjithëanshëm deri tek kreu i aferës korruptive, Edi Rama.

2/2. Së bashku, ata kanë kryer disa nga veprat më monstruoze të korrupsionit qeveritar në 3 dekadat e fundit. I kërkoj kryetares së Kuvendit të mbledhë pa vonesë sot Këshillin e Mandatave. SPAK-ut i duhet dhënë menjëherë akses për kontrollin personal dhe të banesës së ish zv. KM.

Edhe Monika Kryemadhi ka reaguar, ndërsa ka kërkuar nga SPAK të mos harrojë pagesat e bashkisë Tiranë.

“Lajm i fundit: SPAK kërkon arrestimin e Arben Ahmetaj, ish Zv Kryeministër. Të arrestuarit venë e vijnë, ndërsa PAGESAT vetëm venë. Follow the money….SPAK mos harro të ndalosh edhe pagesat e Bashkisë Tiranë,” shkruan Kryemadhi.


Shtuar 10.07.2023 11:34