SPAK i rrethoi banesën, kush është Gëzim Çela, ish oficeri i Forcave Speciale i përfshirë në trafik ndërkombëtar kokaine

Ditën e sotme, 9 tetor 2023, SPAK ka rrethuar banesën e Gëzim Çelës në Fushë Kuqe dhe ka lëshuar disa urdhër-arreste. Mes tyre janë edhe disa oficerë policie.

Mësohet se SPAK ka ndërmarrë një operacion ne Tiranë, Krujë, Durrës, Vlorë e Kurbin.

Kush është Gëzim Çela? 

Gëzim Çela, banues në Kurbin, i dënuar për “shfrytëzim prostitucioni”, është një nga tre personat, që Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar më 5 qershor 2020 formularin e vetë-deklarimit të pasurisë.

Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë. Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.

Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.

Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa. Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara.

Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentin se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”.

Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Celës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës.

Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997./Albeu.com 


Shtuar 9.10.2023 18:15