SPAK “i jep fund” hetimeve për vrasjen e Vajdin Lamajt, akuzat mbi “supet” e Lulzim Berishës, Viktor Ymerit dhe Indrit Rusit

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po shkon drejt mbylljes së hetimeve për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut.

Ketë të enjte prokurori i çështjes ka komunikuar akuzat ndaj Lulzim Berishës, Indrit Rusit dhe Viktor Ymerit, të cilët priten të merren të pandehur për dy vrasjet e bujshme të vitit 2005.

Ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzat e Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Nesër pritet që akuzat për këto ngjarje t’i komunikohen edhe personave të tjerë të vënë nën hetim, pra Emiljano Shullazit e Indrit Taullaut.

Pas komunikimit të akuzave SPAK pritet që të dalë edhe me një njoftim zyrtar lidhur me përfundimin e hetimeve mbi këtë çështje dhe dërgimin e saj për gjykim në Gjykatën e Posaçme./albeu.com/


Shtuar 27.01.2022 14:24