Sot Alibeaj mbledh Kryesinë e PD-së, zbardhen kërkesat e tre grupeve për zgjedhjet e 14 majit

Kryesia e PD-së e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj pritet të mblidhet sot rreth orës 18:00  për të vendosur se si do të  të dalë në zgjedhjet e 14 majit.

Vetëm një ditë para  përfundimit të afatit zyrtar për dorëzimin e listave në KQZ, kryesia e PD-së do të vendosë sot përfundimisht se si do dalë në zgjedhje, teksa tre grupimet që janë kristalizuar brenda Kryesisë kanë propozime të ndryshme.

Jorida Tabaku, Dhurata Çupit dhe Oriola Nebiajt kërkojnë që të dalin në zgjedhjet e 14 majit vetëm me kandidatë për Këshillat Bashkiakë, shkruan BW. Grupi tjetër i Gazment Bardhit dhe Indrit Sefës, kërkojnë të dilet me kandidatë në pak zona, të cilat vlerësohet se mund të fitohen dhe grupi tjetër që përbën shumicën e Kryesisë dhe që drejtohet nga Alibeaj kërkojnë që të dalin patjetër në Tiranë me kandidat për kryetar bashkie dhe në 20-30 bashki, mes të cilave Fieri, Korça, Dibra, Kuçova dhe Kurbini dhe të mos ketë kandidatë në zonat ku vlerësohet se fitojnë kandidatët e Primareve. Për Tiranën siç është mësuar janë Jonila Godole dhe Roland Bejko./Albeu.com/