Sot agjendë e ngjeshur në komisione, opozita paralajmëron kaos! PS vë në zbatim “planin B”

Dita e sotme, 6 nëntor, nis me një agjendë të ngjeshur në Kuvendin e Shqipërisë.

Në rendin e ditës janë parashikuar 5 komisione parlamentare, ai i Ekonomisë, Ligjeve, Shëndetësisë, Politika e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese ku kryefjalë do të jetë projekt-buxheti i vitit 2024.

Por në punimet e komisioneve, sikurse ka ndodhur edhe javët e kaluara, nuk normalitet.

Opozita ka paralajmëruar kaos në mënyrë që mos lejojë punime në Kuvend derisa të plotësohen 3 kërkesat e tyre (mospërfshirja e PS-së në punët e brendshme të grupit të deputetëve të PD, zëvendësimi i anëtarëve dhe bashkë-kryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritja e komisioneve hetimore parlamentare).

Zhurma, kaosi dhe përplasjet fizike nuk kanë munguar përgjatë ditëve, por opozita ka paralajmëruar se reagimi do të përshkallëzohet.

Por duket se socialistët kanë përgatitur një plan “B” për të shmangur përplasjet. Parashikohet që mbledhjet të zhvendosen online, pavarësisht se kjo mënyrë përdoret vetëm në situate të jashtëzakonshme.

Për shkak të përplasjeve, janë në total 8 deputetë të opozitës të përjashtuar nga punimet e Kuvendit.

Të premten u përjashtuan me 10 ditë Ervin Salianji që ndezi tymuese rozë e mavi në seancë plenare, Petrit Doda dhe Edmond Spaho, ndërsa pas seancës me përplasje fizike të 30 tetorit u përjashtuan kreu i grupit Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Flamur Noka, Albana Vokshi./albeu.com/


Shtuar 6.11.2023 07:59