Sot, 4 vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, mori 51 jetë njerëzish dhe la në qiell të hapur qindra familje

Kjo e diel shënon 4-vjetorin e tërmetit tragjik të ndodhur më 26 nëntor 2019, ku si pasojë humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mbi 1000 të tjerë.

Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave duke lënë pa strehë shumë familje kryesisht në Thumanë dhe në disa zona të Durrësit.

Mëngjesi i 26 nëntorit ku vendi u trondit nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës rihter la një plage të pashërueshme për familjet dhe të afërmit e 51 viktimave të tij. Ishte ora 03:56, kur një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda, goditi Durrësin dhe Tiranën dhe disa bashki të tjera, duke u marrë jetën 51 personave dhe lënduar qindra të tjerë.

Qindra të plagosur la pas ajo dridhje e fuqishme e tokës, kryesisht ne Durrës, Kurbin, Tiranë e Lezhë.

Shembje pallatesh, shtëpish, shkolla e institucione të tjera. Thirrjet dëshpëruese të familjareve qe të afërmit i kishin nën rrënoja, sirenat e autoambulancave, policisë, zjarrfikësve, ushtrisë, ushtonin ngado.

Mbi 200 mijë persona u preken direkt nga dëmet që la pas. Shqipëria u kthye menjëherë në qendër të raportimeve të mediave botërore. Shqiptarët, fqinjët, partnerët nisen mobilizimin e shpejtë për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë./albeu.com/