VIDEO/ Skenar filmash në Vorë, 44-vjeçari i vendos tritol një shtëpie gjatë natës dhe njofton policinë: Kallëzon pronarin e banesës

Një skenar filmash ka ndodhur në Vorë. Një 44-vjeçar la një sasi lënde plasëse, tritol, në oborrin e banesës së një 46-vjeçari dhe më pas njoftoi policinë. Sipas uniformave blu, 44-vjeçari e la lëndën plasëse në banesën e 46-vjeçarit dhe më pas njoftoi Policinë, me qëllim që pronari i banesës të ngarkohej me përgjegjësi penale, për mbajtje të lëndës eksplozive.

Në kuadër të operacionit policor “Mesnata”, u bë arrestimi i shtetasit S. M., 44 vjeç, banues në Prezë.

Pas kallëzimit se shtetasi K. K., 46 vjeç, mbante lëndë plasëse (tritol) në banesë, shërbimet e Policisë kanë ushtruar menjëherë kontroll dhe në oborrin e kësaj banese kanë gjetur të mbështjella në një qese plastmasi dy kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse tritol, së bashku me fitilin ndezës, dhe dy detonatorë.

Pas deklarimit të shtetasit K. K. se nuk ishte ai poseduesi i lëndës plasëse, shërbimet e Policisë kanë kryer veprime hetimore nga të cilat ka rezultuar se lënda plasëse ishte vendosur në oborrin e kësaj banese, pikërisht nga shtetasi S. M., me qëllim që 46-vjeçari, pronari i banesës, të ngarkohej me përgjegjësi penale, për mbajtje të lëndës eksplozive.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy kallëpet me tritol, së bashku me fitilin ndezës, dy detonatorët dhe veshjet që ka mbajtur autori gjatë vendosjes së lëndës eksplozive.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/


Shtuar 16.06.2023 10:52

Tags: ,