Skemë e re pensionesh? Flet kreu i Sigurimeve Shoqërore: Të gjithë faktorët duhet të shqyrtohen

Duke filluar nga 1 Tetori i këtij viti, pensionet do të indeksohen në vlerën 4.1%. Kjo u bë e ditur nga qeveria shqiptare, e cila miratoi këtë të mërkurë indeksimin e pensioneve, ndërsa nga kjo do të përfitojnë afro 800 mijë pensionistë.

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, u shpreh se indeksimi është një detyrim ligjor, pasi përmes kësaj synohet ruajtja e fuqisë blerëse e parasë.

“Indeksimi është detyrim ligjor, sepse koncepti i indeksimit, është më ruajtjen e fuqisë blerëse të parasë. Qeveria në varësi të gjendjes së vet, mundet që të marrë masa të tjera siç janë bërë dhe dhënë bonuese. Këto janë në varësi të politikave që do ndjekë qeveria”, tha ai.

I pyetur nëse po punohet për hartimin e një skeme të re për pensionet në Shqipëri, Hado theksoi se aktualisht po studiohet të gjitha modelet, por deri tani nuk ka asgjë konkrete.

Sipas tij, para se të aplikohet apo miratohet një skemë e re, fillimisht do duhet të merren në shqyrtim të gjithë faktorët që e diktojnë atë.

“Jemi në diskutime se ka nevojë skema për t’u prekur dhe në çfarë parametrash jemi në fazën e diskutimeve dhe studimeve. Besoj se në dyjavëshin e dytë të tetorit, se çfarë janë planet dhe kush janë objektivat që duhet të realizohet nëpërmjet reformimit tërësor ose pjesor të skemës. Jemi duke bërë analiza dhe studime të kësaj gjëje. Duhet të shqyrtohen të gjithë efektet që kanë faktorët që ndikojnë duhet të adresohen në këtë skemë”, tha ai.


Shtuar 18.09.2024 15:16