SKEMA/ Siguroi mijëra euro përmes mashtrimit, arrestohet 48 vjçari në Durrës

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin “Karrotreci”, duke goditur një rast të veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjeve.

Gjatë operacionit, policia ka arrestuar një 48-vjeçar që kryente vjedhje me anë mashtrimit, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Gjithashtu, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti me të cilin ky shtetas largohej pasi kryente vjedhjet, ndërsa janë zbardhur dhe dokumentuar 5 vjedhje të ndodhura më parë në qytetin e Durrësit.

Njoftimi i policisë:

 

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Karrotreci”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi L. M., 48 vjeç, banues në Tropojë, i dënuar disa herë për veprën penale “Vjedhja me anë të mashtrimit”.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ditën e djeshme, në Sukth, Durrës, rreth orës 16:00, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke tentuar t’i vjedhë me anë të mashtrimit shumën prej 60.000 lekë të reja, shtetasit P. Z. (pronar i një karrotreci).

Ky shtetas realizonte skemën e mashtrimit duke telefonuar pronarët e karrotrecave me pretekstin se kishte automjetin e prishur, më pas i kërkonte para atyre për të paguar servisin dhe pasi i merrte largohej me shpejtësi.

Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasi L. M. është autor i dyshuar i 5 vjedhjeve të ndodhura më parë, konkretisht:

Më datë 27.02.2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën prej 600 euro, shtetasit E. Ç.;

Më datë 18.03.2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën prej 65.000 lekë, shtetasit A. P.;

Më datë 18.04.2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën 800 euro, shtetasit P. P.

Më datë 18.07.2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën 700 euro, shtetasit A. G.;

Më datë 21.07.2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën prej 500 euro, shtetasit S. M.;

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Benz” që ky shtetas e përdorte për t’u larguar pasi merrte paratë e përfituara, të cilin e kishte braktisur në Sukth, Durrës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 22.07.2021 09:23