SKEMA/ Ish-polici u ndoq nga 3 persona, njëri zbriti nga Benz-i dhe qëlloi me breshëri

Një ish-efektiv i Policisë së Shtetit u ekzekutua me armë zjarri mëngjesin e së hënës në qytetin e Laçit.

Ishte ora 07 e 23 minuta, kur 61-vjeçari, Xhelal Reçi, po shkonte për të hapur bizneset në pronësi të tij në qendër të qytetit, kur persona të paidentifikuar e kanë qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët duket se kanë qenë duke e ndjekur dhe shfrytëzuan momentin kur ai zbriti nga makina për ta sulmuar me armë zjarri tip pistoletë. Xhelal Reçi mori një plumb në gjoks dhe me reflekset e ish-policit ka tentuar t’i shpëtojë sulmit duke hyrë në një rrugicë mes dy ndërtesave në zonë. Por, plaga që kishte marrë ishte vdekjeprurëse dhe ai humbi menjëherë jetën.

“Rreth orës 07:23, në afërsi të një banke, në qytetin e Laçit, Kurbin në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Xh.R. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, si dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit. Në ndihmë të Policisë janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, sqaroi shkurtimisht Policia e Lezhës.

SKEMA E ATENTATIT

Ekzekutimi i 61-vjeçarit ka qenë i mirëorganizuar dhe ngjason me atentate të tjera të kryera në vend. Vrasja u shënua thuajse në qendër të qytetit në një zonë me biznese dhe institucione të pajisura me kamera sigurie. Pamjet mund të ndihmojnë për zbardhjen e dinamikës së plotë dhe ndoshta edhe në identifikimin e vrasësve të ish-policit. Referuar pamjeve filmike, autorët kanë qenë tre persona.

Dy prej tyre kanë qenë të armatosur me armë zjarri. Pasi kanë zbritur nga automjeti me të cilën kishin ardhur në vendin e krimit, vetëm njëri prej tyre ka qëlluar në drejtim të 61-vjeçari, ndërsa personi i tretë ishte shofer në makinën që u përdor për vrasjen.

Pas kësaj, autorët e maskuar me maska kirurgjikale dhe kapele, janë larguar nga vendi i ekzekutimit të 61-vjeçarit, duke humbur kështu gjurmët. Autorët, dyshohet se mund të jenë ndihmuar nga persona të tjerë. Grupi hetimor po bën verifikime për mjetin, ndërsa ekspertet kriminalistikë bënë e këqyrën në kërkim të provave që mund t’i çojnë tek autorët.

HETIMET

Pas atentatit me armë zjarri ndaj 61-vjeçarit, në ndihmë të Policisë shkuan edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, por me sa duket ishte tepër vonë për të kapur autorët e atentatit. Kontrolle të shumta janë zhvilluar në zonën e Milotit. Dhjetëra persona janë shoqëruar në lidhje me vrasjen e Xhelal Reçit. Kontrolle po kryhen edhe në zonën e Shkodrës nga ku dyshohet se mund të kenë ardhur autorët e krimit të rëndë.

U dogj pas atentatit, makina e vjedhur në Fier dhe me targa greke

Atentati ndaj 61-vjeçarit Xhelal Reçi është filmuar nga kamerat e sigurisë të bizneseve në zonë për shkak se vrasja ka ndodhur në një zonë urbane, ku prania e kamerave të tilla është e madhe. Grupi hetimor pranë Prokurorisë së Kurbinit ka sekuestruar këto pamje, duke identifikuar automjetin, me të cilën është kryer vrasja. Burime për gazetën bëjnë me dije se automjeti rezulton i vjedhur në fshatin Mbrostar të Fierit rreth një muaj më parë, për të cilën është bërë denoncim pranë komisariatit të Policisë.

Gjithashtu, burimet bënë me dije gjithashtu se automjeti i djegur kishte targa greke të mbivendosura, për të vështirësuar kështu identifikimin e atentatorëve. Nëpërmjet pamjeve, prokurorët kanë zbërthyer edhe skenën e krimit, por mbetet i vështirë identifikimi i autorëve të vrasjes së Xhelal Reçit.

Pavarësisht se në atentat janë përfshirë dy persona, vetëm njëri prej tyre e ka qëlluar me dy plumba, njëri prej të cilëve ka qenë fatal për 61-vjeçarin. Autorët mbanin mbi kokë edhe kapuça, përveç maskave kirurgjikale. Personi tjetër që kishte armën në dorë, sipas pamjeve filmike rezulton të mos ketë qëlluar. Autorët më pas hipin në automjetin e vjedhur, e cila qëndronte e ndezur dhe që brenda saj ishte një person tjetër dhe largohen në drejtim të zonën së Milotit.

Mjeti është gjendur i gjithi i djegur, ndërsa armët nuk janë gjetur në makinë. Edhe në ekzekutimin e Reçit, atentatorët kanë përdorur automjetin e vjedhur një metodë kjo për ta bërë krimin të pazbardhshëm. Dyshohet se bëhet fjalë për vrasës me pagesë, të cilët funksionojnë në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që realizon atentatet me armë zjarri. Realizimi i atentateve të tilla nis fillimisht me vjedhjen e automjeteve.

DJEGIA E MAKINËS

Ashtu si në ngjarje të tjera kriminale të kësaj kategorie, një pjesë prej të cilave nuk janë zbardhur nga autoritetet, edhe në ekzekutimin e ishefektivit të Policisë, është përdorur thuajse e njëjta skemë që përdorin zakonisht vrasësit me pagesë. Menjëherë pas krimit të rëndë, autorët u larguan me automjetit tip “Toyta”, e dogjën atë në afërsi të lumit të Milotit. Automjeti është djegur plotësisht, çka për hetuesit ka pak shpresë se mund të gjendet ndonjë provë që mund të çojë në identifikimin e autorëve. Ndryshe nga disa ngjarje të tjera kriminale, në automjetin e gjetur në Milot, autorët nuk i kishin lënë armë brenda tij. /panorama


Shtuar 2.11.2021 09:41