Këtë të enjte, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, do të jetë në dy interpelanca në seancën plenare të Kuvendit, të kërkuara nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike dhe nga deputeti Arbi Agalliu.
Interpelanca me ministren Koçiu, vjen pak ditë pas ngjarjes në Spitalin Onkologjik.
Në rend dite në seancën e sotme plenare, janë edhe raporti vjetor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2023; raporti vjetor i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2023; raporti vjetor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2023; si dhe raporti vjetor i veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2023.
Po ashtu, në seancën plenare deputetët e Kuvendit do të diskutojnë dhe më pas hedhin për miratim edhe disa projektligje, sikurse janë: Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë”; Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e mjedisit”, i ndryshuar”; Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, i ndryshuar”, Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, i ndryshuar” si dhe Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për mbrojtjen e biodiversitetit””.