Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës skandalin me sistemin TIMS.
Kallëzimi i AMP vjen pak ditë pasi ambasada e SHBA ngriti shqetësimin për rrjedhjen e të dhënave.
I ngarkuari me punë i ambasadës amerikane në Tiranë, Martin McDowell në një takim me ministrin e Brendshëm Taulant Balla shprehu shqetësimin e SHBA lidhur me shkeljen në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit, duke kërkuar hetim të shpejtë dhe të plotë.
McDowll i shprehu gjithashtu ministrit se SHBA është e gatshme të mbështesë Ministrinë dhe Policinë e Shtetit Shqiptar në hetimin e tyre.
“I Ngarkuari me Punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell u takua sot me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla. Ata diskutuan bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe mbështetjen për një sërë çështjesh të lidhura me sigurinë. I ngarkuari me Punë McDowell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit.
Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri. McDowell i tha gjithashtu Ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre”, u tha në njoftimin e Ambasadës./Albeu.com