Skandali i tjetërsimit të pronave në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin ku u dënuan nga shkalla e parë 17 persona mes të cilëve dhe ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj do të rishqyrtohet sërish nga Gjykata e Apelit në Shkodër.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Lartë, e cila pranoi rekursin që kishte bërë Prokuroria e Apelit dhe vendosi prishjen e vendimit së Gjykatës së Apelit në Shkodër dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Kujtojmë se, Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë ne muajin shtator të vitit 2020 shpalli fajtor dhe dënoi me katër vite burg për “Shpërdorim detyre” ish-kryetarin e Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, për akuzën e tjetërsimit të pronave te Rana e Hedhun në bregdetin e Shëngjinit, por Apeli e riktheu çështjen për gjykim në Shkallën e Parë, me pretendimin se nuk është zhvilluar si një proces i rregullt ligjor.