Skandali i pagave, gazetari: Dritëhijet e rusit, 4 arrestimet vetëm maja e “iceberg-ut”

Skandali i publikimit të pagave ka marrë një tjetër rrjedhë. Prokuroria ka bërë publike mënyrën se si katër të arrestuarit kanë arritur të marrin të dhëna dhe më pas i kanë bërë publike. Të arrestuarit e këtij skandali janë Eni Qirjako specialsit IT, Andi Agaraj Specialist IT, Klodian Sota Përmbarues privat dhe Endri Ikonomi përmbarues privat.

Sipas prokurorisë, Eni Qirjako ka marrë “databasen” e të dhënave mes “email” duke ia çuar Andi Agarait. Ky i fundit pasi i ka shkarkuar të dhënat, i ka nisur tek Klodian Sota me anë të një CD. Këto të dhëna ia ka shitur nga 200-30 mijë lekë. Dhe personi tjetër Endri Ikonomi duke bashkëpunuar me Andi Agarajn ka marrë të dhënat e pagave të mijëra qytetarëve.

Gazetari i ABC, Ermal Vija raporton se pasi Klodian Sota dhe Endri Ikonomi kanë marrë të gjtiha të dhënat, i kanë përdorur për punën e tyre si përmbarues. Por mbetet e paqartë se si të dhënat janë publikuar. Sipas prokurorisë hetimet po vijojnë dhe ende nuk kanë të qartë synimin e publikimit të të dhënave.

Prokuroria ka nisur hetimet që nga data 21 dhjetor dhe deri më tani ka rezultuar se këta persona janë përgjegjës vetëm për nxjerrjen e të dhënave të pagës . Ndërsa për skandalin tjetër të targave prokuroria thotë se po vijon hetimet dhe nuk bënë përgjegjës këta të arrestuar.

Nga hetimet e prokurorisë, Endri Ikonomi rezulton me një lidhje me një shtetas rus, dhe ka hapur një kompani dhe ka qenë drejtues i kësaj kompania deri në tetor të këtij viti. Gazetari Ermal Vija raporton se dritëhijet e kësaj kompanie ruse kanë të bëjnë me një rus i cili operonte për konsulenca.

Deri në këto momente prokuroria e ka të paqartë nëse rusi ka ndikuar për të blerë apo për të pasur “databasen” e të dhënave. Ndërsa është e qartë që Endri Ikonomi përdorte këto të dhëna, për të bërë të mundur target grupin e personave që do u ofronte kredinë.

“Deri në këto momente arrestimi i këtyre 4 personave është vetëm maja e “ice berg-ut”, duket që është një skandal i përmasave të mëdha. Nuk ka ndodhur që të dhënat të bëhet publike në këtë mënyrë. Prokuroria është në rrugë të mbarë se ka zbuluar personat që kanë nxjerrë të dhënat dhe personi që ka bërë ndërmjetësin dhe dy personat e tjerë që kanë siguruar të dhënat” tha gazetari Vija.

Prokuroria nga ana e saj ka qenë hermetike për sa i përket nëse ka pasur qëllime të tjera për nxjerrjen e këtyre të dhënave.


Shtuar 7.01.2022 20:49