Kompania turke Kurum International sha, e cila prej shumë vitesh kryen aktivitet industrial në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, dyshohet se është origjina e qindra ton mbetjeve të rrezikshme të nisura nga Porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.
Mbetjet e rrezikshme dyshohet se janë pluhur nga hiri i oxhaqekëve të uzinave të çelikut e petezimit, të ngjashme me ato që Kurum përdor prej gati një dekade.
Këtë të hënë, në ambientet e Kurum kanë zbarkuar oficerët e Krimit Ekonomik dhe Prokurorisë së Durrësit, të cilët po shqyrtojnë dokumentacionin e kompanisë dhe arkivat e saj.
Pak ditë më parë, kompania turke mbylli dy sektorët prodhues, çelikun dhe petëzimin duke lënë në rrugë 500 punonjës.
Përballë kësaj situate edhe sindikata hesht, ndërkohë Inspektoriati i Punës është në ndjekje të situatës dhe bën me dije se aktualisht punonjësit e Kurum janë të paangazhuar me punë, por trajtohen financiarisht, ndërsa subjekti nuk ka bërë asnjë kërkesë në QKB për pezullim apo ndërprerje të aktivitetit.
Egliver Laloshi, përgjegjës i Sektorit të Inspektimit, Inspektoriati i Punës Elbasan, ka sqaruar se po monitorohen zhvillimet e fundit në kompaninë turke Kurum.
Organet hetimore pritet të hedhin dritë mbi sasinë e pluhurave të rrezikshme, të kapura në oxhaqet e Kurum cdo vit dhe destinacionin e tyre.
Nga të dhënat e mëhershme të publikuara nga vetë kompani vetëm në tre muaj, në oxhaqet e kurum grumbullohen mbi 2500 ton pluhur.