Skandali i AKSHI-t/ Mirlinda Karçanaj, nga “e pastrehë” në pronare e 4 vilave, Këlliçi: SPAK u vu në lëvizje pas kërcënimit të shtetasve gjermanë

Skandali i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), thellohet me akuza të reja, sipas të cilave hetimi i SPAK-ut është intensifikuar vetëm pas presionit nga vendet e Bashkimit Europian.

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një intervistë për “Ora News”, deklaroi se shkak për këtë ndërhyrje dyshohet të jetë bërë kërcënimi dhe shantazhimi i biznesmenëve me shtetësi gjermane, ç`ka ka ngritur alarmin në kancelaritë europiane dhe ka detyruar prokurorinë të përshpejtojë hetimet.

Të lidhura

None found

Në qendër të akuzave të reja është edhe Kryeministri Edi Rama, i cili rreth dy javë më parë doli publikisht në mbrojtje të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Këlliçi u shpreh se kryeministri e cilësoi atë si një zonjë “të pastrehë” që jeton me qira dhe pa makinë, duke i hedhur poshtë akuzat e opozitës si shpifje.

Kjo mbrojtje vjen në kontrast të thellë me veprimet e fundit të SPAK-ut, që sekuestroi një pasuri me vlerë 40 milionë euro, e cila i atribuohet ish-zyrtares dhe personave të lidhur me të.

Mes pasurive të sekuestruara përfshihen jahte, toka, prona, apartamente dhe, konkretisht për zonjën në fjalë, katër vila dhe një makinë luksoze me shofer privat.

Ligjvënësi demokrat e përshkroi dosjen e AKSHI-t si një “bombë” që mund të rrëzojë qeverinë nëse hetimet shkojnë deri në fund. Sipas tij, institucioni nuk ishte thjesht një vatër korrupsioni, por “vatra e krimit të organizuar në Shqipëri”. Pretendohet se AKSHI ishte kthyer në “kopshtin privat personal të Edi Ramës”, ku kryheshin favore personale dhe bliheshin artikuj luksi ekstrem, si shishe vere me vlerë 33,000 euro për një vakt të vetëm.

PJESË NGA BISEDA NË STUDIO

Belind Këlliçi: “Mbetemi te AKSHI. Që këtu janë marrë peng biznesmenë, këtë e kanë ditur të gjithë. Fati i madh në këtë rast ka qenë që janë cënuar edhe biznesmenë apo shtetas, apo shtetase, me shtetësi të vendeve të Bashkimit Europian.

Dhe rasti i personave që kanë pasur shtetësi gjermane dhe që janë cënuar dhe që janë kërcënuar dhe që janë shantazhuar, ka ngritur një alarm në kancelaritë e vendeve të BE-së dhe ka detyruar me sa duket partnerët tanë të BE-së të reagojnë dhe të kërkojnë një ritëm të shpejtë dhe të bëjnë, të ushtrojnë presion pozitiv ndaj Prokurorisë së Posaçme për të vijuar dhe për të thelluar hetimet. Dhe sot jemi para një skenari që patatja e nxehtë që janë përgjimet e gjetura në zyrën e Ergys Agasit, i kanë mbetur në dorë Prokurorisë së Posaçme dhe nuk kanë çfarë të bëjnë.

Tani pyetja këtu është, si nuk del një njeri të kërkojë llogari, përveç Partisë Demokratike dhe opozitës, për kryeministrin që dha deklarata publike para një jave, apo dy javësh po s’gaboj, dhe mori në mbrojtje Mirlinda Karçanajn, ish-drejtoreshën e AKSHI-t, duke thënë që opozita shpif, Saliu gënjen, opozita shpif, PD-ja gënjen, sepse po i bie në qafë kësaj zonjës, kjo zonja është e pastrehë, ndërkohë që instituti… kjo jeton me qira, dhe kjo zonjë nuk ka as makinë. Ç’janë këto që thotë PD-ja?

Ndërkohë ju vetëm ditën e, para dy ditësh, patë që u sekuestruan 40 milionë euro pasuri. Jahte, toka, prona, apartamente e të gjitha dhe zonjës në fjalë iu sekuestruan katër vila. Rama mbase e ka pasur fjalën që nuk ka shtëpi dhe ka vila. Po iu sekuestruan katër vila dhe iu sekuestrua një makinë luksoze që kjo e kishte me shofer privat.

Pra domethënë, të gënjesh në këto, në këtë mënyrë, të mashtrosh qytetarët e tu në këtë mënyrë dhe të mos mbash asnjë përgjegjësi dhe sërish fajin ta kërkosh te opozita, këtë vetëm një politikan e ka bërë në Evropë, se unë nuk di të dytë, dhe ky quhet Edi Rama.

AKSHI është për mua bomba që nëse Prokuroria e Posaçme ka vullnetin t’i shkojë deri në fund, automatikisht kjo qeveri rrëzohet. AKSHI është nukla e krimit të organizuar në Shqipëri. Nuk është vetëm nukla e korrupsionit. Ne kemi vite që themi që ai institucion ishte kthyer në kopshtin privat personal të Edi Ramës dhe aty bëheshin qokat e tij personale. Aty bliheshin edhe shishet e verës 33,000 euro që ai konsumonte në një vakt.

Kur ka dalë për herë të parë Arben Ahmetaj para dy vitesh dhe ka ngritur akuza për kryeministrin dhe ka thënë “kam qenë vetë në tavolinë me të kur na kanë ardhur shishet Romanee-Conti, 33,000 euro, për t’i konsumuar”, shumëkush, përfshirë këtu dhe PS-në dhe Edi Ramën vetë, e ka komentuar si një sulm të Arben Ahmetajt nga arratia dhe një hakmarrje dhe një shpifje banale të tij. Por qilari i verave të Ergys Agasit, që në fakt është qilari i verave të Edi Ramës, tregoi që kjo është histori e vërtetë, madje aty kishe vera deri në 60,000 euro. Dhe për të kuptuar qytetarët shqiptarë, këta janë politikanët apo shtetarët e sotëm, qeveria e sotme, që pinë një gllënjkë verë 1000 euro”.


Shtuar 24.04.2026 10:49