Pula nuk është vetëm zogu më i populluar në planet por edhe një ndër më të abuzuarit.
Mishi i pulës është mishi më i konsumuar në botë ku vetëm për të ushqyer amerikanët, 9 miliardë pula vriten çdo vit dhe rreth 50 miliardë për të ushqyer gjithë botën.
Këta zogj jetojnë dhe vdesin brenda objekteve të ashpra të prodhimit industrial që vendosin fitimin mbi mirëqenien e kafshëve.
Organizata ‘Animal Rescue Albania’, ka lajmëruar së fundmi, se më datë 16 shkurt, do të publikohet një video e cila tregon qartë torturat e pulave para therjes.
Sipas tyre, bëhet fjalë për prodhuesin e katërt më të madh të shpendëve në Evropë, i cili shet produktin e saj edhe në dyqanet e Shqipërisë.
Videoja, përveç se jo etike, cenon hapur sigurinë ushqimore dhe shëndetin e njeriut.
Më poshtë një pjesë e raportit, dërguar nga ‘Animal Rescue Albania’:
“Në datën 16 shkurt do të publikohet në rrjetet sociale një video -raport investigativ nga një organizatë jo fitim-prurëse spanjolle e cila nxjerr në pah kushtet e tmerrshme të kafshëve në një fermë pulash, të lidhur me prodhuesin e katërt më të madh të shpendëve në Evropë, i cili shet produktin e saj edhe në dyqanet e Shqipërisë.
Videoja, është marrë midis korrikut dhe gushtit 2021 në një fermë pulash në Itali.
Zogjtë e kalbur do të mund të shihen duke u çukitur nga zogj të gjallë, të tjerët në agoni, zogj me deformime dhe fraktura të ndryshme, të paaftë për tu ngritur në këmbë.
Për disa, është e pamundur të arrijnë në vendin e ujit të pijshëm, gjë që ua bën vuajtjen edhe më të madhe.
Imazhet do të zbulojnë gjithashtu sjellje të dhunshme nga ana e stafit, duke i goditur dhe shkelmuar.
Qafat e tyre gjithashtu shihet se janë thyer ose kokat e tyre janë shkelur deri në vdekje.
Dendësia e lartë e pulave në fermat e fabrikës përbën rrezik për shëndetin publik.
Përqendrimet e mëdha të kafshëve të së njëjtës specie në një hapësirë të kufizuar është vërtetuaR se rrit rrezikun e sëmundjeve zoonotike.
Shpërthimet e gripit të shpendëve të zbuluara vitet e fundit në ferma në disa vende (përfshirë vendet në zonën ekonomike të BE-së), përforcojnë nevojën për aplikimin e metodave për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve zoonotike.
Një masë e tillë është kultivimi i racave me rritje të ngadaltë, gjë që çon në rezistencë më të lartë ndaj sëmundjeve.”
Në pritje të video-skandalit i cili me siguri do të bëjë ‘xhiron e rrjetit’ dhe do të cënojë rëndë sigurinë ushqimore edhe në vendin tonë, ju ftojmë të shikoni vetëm ‘pak nga shumë’ vuajtjet në jetën e shkurtër të pulave.
Ju paralajmërojmë, se paraprakisht këto pamje (dhe ato që do të publikohen më datë 16 Shkurt), nuk do të prekin vetëm anën tuaj prej konsumatori, por edhe atë humane./syri