Skadon afati për të liruar zyrat, kreu i FRD: Çështja është ende në gjykatë, ne vazhdojmë fushatën

Përfundon sot afati 10 ditor ku Fryma e Re Demokratike duhet të lirojë godinën. Në ambientet e jashtme të kësaj selie sot janë parë edhe efektive të policisë bashkiake.

Në një komunikim për mediat, kryetari Sali Shehu thotë se çështja është në gjykatën dhe ende nuk ka një vendim të formës së prerë.

Shehu u shpreh se seanca që ishte parashikuar për sot është shtyrë, pasi janë bashkuar dy padi.

“Ne kemi depozituar një kërkesë në Gjykatën Administrative për të ndaluar aktet e paligjshme të bashkisë. Kjo është një procedure rutinë që e ndjek gjykata. Ne kemi dorëzuar sot edhe padinë për shqyrtimin e kësaj çështje në themel, që kërkon ndalimin e aktive të paligjshme të bashkisë. Kjo kërkesa e jone e bashkuar bashkë me masën e sigurisë do të shqyrtohet brenda 5 ditëve.

Jemi në fushatë zgjedhore, po vazhdojmë fushatën. Unë garantoj që fushata do shkojë mirë dhe FRD do ketë rezultate spektakolare”, tha Shehu.

Shehu i bëri thirrje Erion Veliaj që të mos sillet si kryetar partie, por si kryebashkiak.

“Ne kërkojmë dhe do t’ia bëjmë me dije institucioneve të bashkisë, madje i bëj thirrje Veliajt mos sillet si kryetar partie por si kryebashkiak. I bëjmë thirrje, bashkisë, ambasadave dhe institucioneve se jemi në rrugën e ligjit, presim vendimet e gjykatës. Do vazhdojmë fushatën dhe jemi në selinë tonë. Çështja është në gjykatën e shkallës së parë që u shty për shkak të dy padive në një të vetme”, tha Shehu.

 

Shtuar 23.03.2021 11:03