Robert Aliaj, ka debatuar ashpër me pastorin Akil Pano, në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në News24, teksa kanë diskutuar për videon e bujshme të Librazhdit, ku nusja e kap nga vjehrrit duke tradhtuar burrin, që ishte jashtë shtetit.
Në një lidhje me “Skype”, këngëtari Aliaj tha se në këtë rast nuk bëhet fjalë për tradhti, pasi nuk kishte një lidhje shpirtërore mes çiftit, i cili jetonte më shumë i ndarë.
Duke e cilësuar qesharake, Aliaj u shpreh se “Nderi është kur ndodh mes njerëzve, që i kanë dhënë njëri-tjetrit një status”, ndërsa kjo ka revoltuar pastorin, i cili nga ana e tij, theksoi se Aliaj po gjykon me lupën e tij problemin e një familjeje, ndërsa shtoi se nuk mund të quhet qesharak nderi.
Debatet:
Robert Aliaj: Nuk bëhet fjalë për ndere në atë familje, që as nuk bashkëjetojnë bashkë, vetëm shihen njëherë në muaj. Është një familje, që dikush jeton në Gjermani, burri i vet, dhe ajo vetë në Shqipëri. Vajza është e keqpërdorur. Nuk besoj fare te tradhtia, sepse nuk ka pasur një lidhje shpirtërore. Nuk e quaj tradhti një akt të bërë nga dikush që nuk ka një lidhje shpirtërore. Gjithkush nga ne është i lirë, për sa kohë nuk e ka një lidhje të tillë. Nderi është kur ndodh mes njerëzve, që i kanë dhënë njëri-tjetrit një status.
Unë do t’i referohesha mungesës së identitetit, ku nuk ka një kod moral homogjen të kuptuar në mënyrë të barabartë nga të gjithë. Ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që vajza ishte më e kërcënuar nga i ati, se nga të tjerët. Është një shoqëri primitive pa asnjë skrupullit.
Pastori: Nuk jam dakord fare, ti po e gjykon me lupën tënde problemin e një familje.
Aliaj: Edhe po e shikoni nga lupa juaj.
Pastori: Patjetër, por kij parasysh që kjo vajzë është martuar në këtë familje, që tërhiqet nga ky kod moral.
Aliaj: Meqë më ndërpretë, ajo është një vajzë e dhuruar, nuk e di për çfarë arsyeje. Ajo nuk ka shkuar me dinjitetin siç i takonte si vajzë. E para, nuk ishte e përfshirë në një marrëdhënie dashurie, dhe e dyta nuk është pyetur fare.
Pastori: A e ke dëgjuar palën tjetër?
Aliaj: Pala tjetër do që ta vrasë.
Pastori: Nga kjo retorikë i bie të justifikojmë tradhtinë e atyre që i kanë partnerët jashtë.
Aliaj: Ku qëndron tradhtia këtu? Është si raporti që kam unë me Edin. Është qesharake të flasim për tradhti.
Pastori: Mund të jetë qesharake, por jo për mua. Janë disa elementë që nuk mund t’i heqësh.
Aliaj: A mund të flas unë? Më lini të mbaroj.
Pastori: E ka dëgjuar njeri djalin, të fejuarin?
Aliaj: Ai njeri nuk është fare, nuk ekziston.
Pastori: Janë me dhjetëra të tjerë që kanë lënë familjen këtu, dhe ju e quani qesharake. Janë burra që i besojnë moralin grave të tyre.
Aliaj: Ne i shohim vajzat si mall akoma. Ato nuk kanë të drejtë të shohin as majtas, as djathtas.
Pastori: Jam dakord, por jo që thoni se nderi është qesharake. Janë me dhjetëra çifte, që jetojnë kështu. Burrat punojnë jashtë, gratë mbajnë familjen. Po dekonstruktohen disa elementë që mbajnë në këmbë familjen, nderin. Mbase ishte një lapsus nga ana e Bertit.
Aliaj: Jo mo nuk është lapsus. Më lini ta mbaroj me një fjali dhe nuk flas më fare. Është ndërtuar një model çifti, që ekziston tani. Pastori mund të thotë çfarë të dojë. Nuk mbahet një familje duke qëndruar vazhdimisht jashtë dhe një grua që ju shërben prindërve si shërbëtore. Unë kam familje vetë, kam dhe dy fëmijë, që po i rris. Edhe kur vij në Shqipëri, vij e iki. Jam vetë që udhëtoj dhe i di problemet e udhëtimeve, por ama gruaja ime nuk është shërbëtore e një familjeje, siç ishte gruaja e atij. Ndaj për mua këtu nuk ka tradhti./bw