Mesa duket as seanca e sotme plenare nuk do të zhvillohet “në paqe.”
Kjo pasi, Sali Berisha në një deklaratë për mediet ka theksuar se aksioni i opozitës do të vazhdojë dhe është pa kthim.
Berisha: Ky është një aksion pa kthim. Një aksion që do kalojë në të gjithë stadet e veta deri në rivendosjen e Kushtetutës në parlament dhe në vend. Nuk ka më gjë normale, gjëja më e përgjegjshme, më e shenjtë që mund të bëjë një deputet është të mbrojë të drejtën kushtetuese. Ata që betohen në Kushtetutë, duhet ta mbrojnë atë me çdo çmim. Deputetët prej një muaji nuk po bëjnë asgjë tjetër veçse po mbrojnë Kushtetutën. Mendoj se ky është vendimi më i përgjegjshëm. Alternativa e këtij vendimi do të ishte bojkoti, por bojkoti do të ishte një dëshirë dhe kënaqësi e Edi Ramës, të cilën nuk do ia plotësojmë. Ne do vazhdojmë betejën.
Kujtojmë se në seancën e fundit pati përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës.
Në shenjë protestë opozita ktheu karriget përmbys dhe bllokoi foltoren. Po ashtu me tensione janë shoqëruar edhe mbledhjet e Komisioneve në Kryesinë e Kuvendit, ku pas bllokimit që u bë nga deputetët e opozitës, pjesa dërrmuese e tyre kaloi në mbledhje online./Albeu.com