Presidentja Vjosa Osmani nuk ka vendosur ende për kryeprokurorin dhe ligji nuk i cakton kurrfarë afati për ta bërë këtë. Kështu, propozimi i KPK-së po qëndron ende në Presidencë.
Ligji nuk përcakton afat se deri kur ka kohë presidentja Vjosa Osmani për të vendosur që ta dekretojë apo jo Blerim Isufajn për kryeprokuror. Propozimi i Këshillit Prokurorial po pret ende në tavolinën e shefes së shtetit.
Në Presidencë nuk janë përgjigjur se kur do të vendos presidentja Osmani për ta dekretuar ose jo Isufajn si kryeprokuror. Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) i tha Gazetës Express se ligji nuk përcakton ndonjë afat.
“Ligji i aplikueshëm nuk përcakton ndonjë afat ligjor brenda të cilit Presidentja e Republikës të marr ndonjë vendim lidhur me propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me dekretimin apo refuzimin e dekretimit të kandidatit të propozuar”, tha Miftaraj.
Më 4 korrik u mor vendimi i fundit në këtë proces, që pritej t’i hapte rrugë vendimit të presidentes, e cila sipas ligjit e bën emërimin e Kryeprokurorit, por mund edhe të mos e bëjë. Gjykata Kushtetuese i shpalli të papranueshme kërkesat e dy kandidatëve për kryeprokuror, Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, të cilët kontestuan kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kushtetuesja njoftoi se “kërkesat përkatëse i shpall të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Miftaraj thotë se në këtë rast Kushtetuesja “ka treguar mungesë të guximit profesional”. Në këtë fazë, ai shton se presidentja do të duhej të merrte vendim “në një afat të arsyeshëm kohor”.
“Sidoqoftë, përderisa Gjykata Kushtetuese ka treguar mungesë të guximit profesional duke ndryshuar praktikën e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të çuditshme dhe pa ndonjë arsyetim të qendrueshëm lidhur me trajtimin e kërkesave të kandidatëve për kryeprokurorë ndaj vendimit të KPK-së, në këtë fazë Zyra e Presidentes do të duhej që në një afat të arsyeshëm kohor të merrte një vendim lidhur procesin e Kryeprokurorit të Shtetit”, tha Miftaraj.
Kandidatët që u ankuan në gjykatën që është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë, ishin renditur në pozitën e dytë dhe të katërt në garën për Kryeprokuror. Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti më 28 prill dhe 6 qershor respektivisht iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se vendimi i KPK-së për përzgjedhjen e Blerim Isufajt i kishte shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Para disa javësh, nga Presidenca kishin deklaruar se janë në pritje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese rreth ankesave të dy kandidatëve për Kryeprokuror.
Emri i Isufajt u dërgua në Presidencë në prill, pasi Këshilli Prokurorial e votoi unanimisht Isufajn për ta pasuar Aleksandër Lumezin në udhëheqjen e instancës më të lartë të ndjekjes në vend.
Ndërkombëtarët: Bashkimi Europian dhe specifikisht Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në prill e konsideruan befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese mënyrën se si Këshilli Prokurorial e ka zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, reaguan gjithashtu 3 muaj më parë, duke i kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të mos e dekretojë Isufajn, pasi e konsideruan të papranueshëm propozimin e KPK-së. Këto organizata i kërkuan presidentes që t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces.
“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, u tha në një komunikatë të përbashkët të këtyre organizatave.
Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar në prill, KPK e caktoi Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.